Së fundi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdoi me propagandën tij, ku në një postim në rrjetet sociale, tha se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake.
“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm“, shkroi Vuçiq në Facebook.
Deklarata e fundit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në të cilën ai pretendon se Serbia po përballet me presione politike dhe të sigurisë nga Kosova, Shqipëria e Kroacia, nuk vjen në një vakum politik, por është pjesë e një diskursi të ndërtuar dhe të përsëritur ndër vite.
Duke e paraqitur situatën si më të ndërlikuar dhe duke folur për një lloj “aleance ushtarake” kundër Serbisë, Vuçiq përpiqet të krijojë një ndjenjë rrethimi dhe kërcënimi të jashtëm, e cila historikisht ka qenë një mjet i fuqishëm për mobilizimin e opinionit të brendshëm dhe për konsolidimin e pushtetit.
Kjo qasje nuk është e re. Retorika e viktimizimit dhe e rrezikut të jashtëm është përdorur shpesh nga lidershipi serb për të zhvendosur vëmendjen nga sfidat e brendshme politike, ekonomike dhe sociale, si dhe për të shmangur përgjegjësinë në raport me proceset e pazgjidhura rajonale.
Në këtë kontekst, lindin pyetje të rëndësishme: pse Aleksandar Vuçiq po këmbëngul në një diskurs të tillë kundër Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë? A është kjo një përpjekje për t’u paraqitur sërish si viktimë në sytë e opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar, apo një manovër për të përfituar nga dinamika e re gjeopolitike?
Dashevci: Deklarata e Vuçiqit nuk është thjesht koment diplomatik
E për këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili tha se deklarata e fundit e Vuçiq shpërfaq frikën e tij.
Sipas tij, presidenti serb ben deklarata të tillë vetëm për ta larguar vëmendjen e popullit të tij nga problemet e brendshme, zakonisht këtë e bën kur ka protesta, pakënaqësi e tenisone të brendshme.
“Kur e dëgjon Aleksandar Vuçiqin duke përmendur në të njëjtin fjali Kosova, Shqipëria dhe Kroacia si burime presioni ndaj Serbisë, nuk ke të bësh me një analizë të ftohtë gjeopolitike. Ke të bësh me një mekanizëm klasik të politikës së frikës së organizuar, ku realiteti ndërkombëtar deformohet në një skenë teatrale të rrezikut të përhershëm, me qëllim shumë të qartë: stabilizimin e pushtetit të brendshëm përmes tensionit të jashtëm të kontrolluar.
Në praktikën e studimeve të sigurisë kjo është një formulë e njohur: kur një qeveri përballet me presion të brendshëm, ajo nuk e ul temperaturën politike, por e ngre atë jashtë vendit.
Dhe sa më shumë ngrihet tensioni jashtë, aq më shumë mpaket kritika brenda.
Në Serbi kjo po shfaqet në mënyrë të përsëritur: sa herë që ka protesta qytetare, tensione institucionale, apo pakënaqësi ekonomike, narrativa publike zhvendoset kinse drejt “rrethimit të Serbisë””.
Në gjithë këtë, mekanizëm të tij, Dashevci potencoi se, Kosovën e përdor si instrument për qëllime të tij politike.
Madje, thekson se një gjuhë e tillë, nuk synon sqarim, por mobilizim.
“Në këtë skemë, Kosova është boshti gravitacional.
Jo thjesht si çështje politike, por si instrument emocional dhe historik.
Për shembull, kur ndodhin incidente në veri të Kosovës, ose tensione mes strukturave lokale dhe komunitetit serb, diskursi në Beograd nuk mbetet në nivel teknik diplomatik,ai automatikisht shndërrohet në gjuhë ekzistenciale: “Serbia është nën sulm”, “serbët janë të rrezikuar”, “Perëndimi po toleron dhunë”.
Kjo gjuhë nuk synon sqarim, por mobilizim.
Në të njëjtën kohë, përfshirja e Shqipërisë në këtë narrativë nuk lidhet me ndonjë konflikt të drejtpërdrejtë strategjik, ajo shërben si zgjerim simbolik i “frontit armiqësor””, theksoi ai.
Më tej, eksperti i sigurisë potencoi se në këtë propagandë serbe ka shumë të përfshirë dhe se nuk është rastësi që këto përmendje shpesh rriten në periudha të ndjeshme politike brenda Serbisë.
“Në logjikën e propagandës politike, sa më shumë aktorë të futen në të njëjtën fjali, aq më e madhe duket “koordinimi kundër nesh”. Kështu krijohet perceptimi i një blloku të tërë Shqiptar-Kroat-Kosovar që vepron si njësi e vetme politike kundër Serbisë, edhe kur realiteti diplomatik është shumë më i fragmentuar dhe kompleks.
Kroacia futet në këtë ekuacion si një kujtesë historike e konfliktit të viteve ’90 dhe si një “armik i njohur” që aktivizohet retorikisht sa herë që nevojitet konsolidim emocional i elektoratit.
Nuk është rastësi që këto përmendje shpesh rriten në periudha të ndjeshme politike brenda Serbisë: para zgjedhjeve, gjatë protestave, apo në momente kur presioni ndërkombëtar mbi Beogradin rritet.
Shembuj praktik të kësaj logjike shihen qartë në mënyrën si funksionon cikli i deklaratave politike dhe mediave të afërta me pushtetin. Një deklaratë e fortë nga Brukseli për sundimin e ligjit në Serbi mund të pasohet brenda orësh nga një rritje e retorikës për “presion të koordinuar rajonal”.
Një protestë në Beograd mund të zhvendoset nga diskursi për kërkesa qytetare në diskurs për “destabilizim të nxitur nga jashtë”.
Në këtë mënyrë, problemi i brendshëm nuk përballet, por riinterpretohet si produkt i një komploti të jashtëm”.
Krahas kësaj, eksperti i sigurisë, nënvizoi se, kur përsëritet ideja se vendi është i rrethuar, i kërcënuar dhe nën presion, atëherë standardi i qytetarit dhe pritshmërisë së tij politike ndryshon.
“Një tjetër element i rëndësishëm është menaxhimi i opinionit publik përmes krijimit të një gjendjeje të përhershme pasigurie. Kur qytetarit i përsëritet vazhdimisht ideja se vendi është i rrethuar, i kërcënuar dhe nën presion nga disa drejtime njëkohësisht, atëherë standardi i tij i pritshmërisë politike ndryshon. Ai fillon të pranojë më lehtë centralizimin e pushtetit, kufizimin e debatit dhe justifikimin e masave të forta shtetërore në emër të “stabilitetit””.
Ndër të tjera, si shtoi se, deklaratat e presidentit serb janë më shumë se diplomatike, sipas tij kjo është një arkitekturë e komunikimit politik.
Në këtë pikë, ai vlerëson se Beogradi është i “rrethuar” me presion nga gjithë anët.
“Në këtë kontekst, deklarata e Vuçiqit nuk është thjesht koment diplomatik, është pjesë e një arkitekture më të gjerë komunikimi politik ku realiteti rajonal përthithet dhe riformatohet në një narrativë të vetme:
Serbia si kështjellë e presionuar nga të gjitha anët. Dhe në këtë kështjellë, udhëheqja paraqitet si mbrojtja e vetme e rendit dhe sigurisë.
Por kur e zbërthen këtë narrativë më lentë të studimeve të sigurisë, ajo që mbetet nuk është një tablo e koordinimit real rajonal kundër Serbisë, por një strategji e përsëritur e përdorimit të tensionit të jashtëm si instrument për menaxhimin e brendshëm politik. Një lloj politike ku kufiri mes analizës dhe propagandës zhduket, dhe ku çdo fqinj bëhet pjesë e një skenografie të nevojshme për mbijetesë politike, jo domosdoshmërisht përshkrim i realitetit ndërkombëtar”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.
Berisha: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njihet për retorikën e tij të viktimizimit
Kurse, edhe eksperti tjetër, Fidair Berisha vuri në pah fakti se Vuçiq njihet për rektorikë të viktimizimit dhe propagandës.
Për këtë, ai në prononcimin e tij për “Bota sot” potencoi se tash e disa herë presidenti serb po tenton t’i paraqesë Kosovën, Shqipërinë e Kroacinë si bosht të destabilizimit, ndonëse kjo nuk është aspak e vërtetë.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njihet për retorikën e tij të viktimizimit për disa arsye që lidhen si me politikën e brendshme, ashtu edhe me kontekstin ndërkombëtar.
Për të satën herë, Vuçiq po e përmend Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin kinse janë burime “presioni”, madje duke i paraqitur edhe si kërcënime serioze të jashtme.
Kjo nuk është aspak e vërtetë, mirëpo ai po e përdor si strategji politike për të forcuar unitetin e brendshëm dhe njëkohësisht për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve dhe opozitës nga problemet e brendshme kruciale me të cilat ballafaqohet Serbia, si gjendja ekonomike, politike dhe sociale”.
Megjithatë, eksperti vlerëson se këtë strategji Beogradi po e përdor me qëllim që të justifikojë qëndrimet e saj në raport më Kosovën.
Po ashtu, këtë ai e sheh edhe si mënyrë për të shmangur presionin e jashtëm dhe të brendshëm, më të cilin po përballet Vuçiqi.
“Vuçiq vazhdon edhe më tej me narrativën e viktimizimit, duke e paraqitur Serbinë si palë të dëmtuar, me të vetmin qëllim për të justifikuar qëndrimet në raport me Kosovën dhe për t’iu shmangur presionit ndërkombëtar për kompromis dhe zgjidhjen finale të raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Vuçiq është duke luajtur lojën e tij në disa drejtime, fillimisht me Evropën, pastaj edhe me Rusinë dhe Kinën. Ai po tenton të shfrytëzojë zhvillimet gjeopolitike në favor të Serbisë.
Pra, deklaratat e fundit të Vuçiqit janë edhe një sinjal për proceset e dialogut në raport me Kosovën, që tregojnë se Serbia nuk do të tërhiqet lehtë nga pozicionet e saj”, përmbylli Fidair Berisha për “Bota sot”.



