Shpërndanin drogë në formë të karameleve pranë shkollave, Policia në Shqipëri zbulon bazën dhe arreston disa persona

Policia e Shqipërisë në Durrës ka finalizuar operacionin e koduar “Shije e hidhur”, duke goditur një grup që dyshohet se prodhonte dhe shpërndante drogë sintetike në formë karamelesh pranë shkollave, përcjell TV21. Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy vëllezër, 20 dhe 25 vjeç, ndërsa një bashkëpunëtor tjetër është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, grupi kishte ngritur një bazë për përpunimin e lëndëve narkotike sintetike dhe i shpërndante ato kryesisht te të rinjtë.

Gjatë operacionit është zbuluar një bazë e përpunimit të drogave sintetike si dhe është goditur grupi që prodhonte dhe shpërndante drogën sintetike pranë shkollave të mesme.

“Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë dy vëllezër , konkretisht shtetasit L. L., 20 vjeç dhe R. L, 25 vjeç, të dy lindur në Kavajë dhe banues në Tiranë. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Xh. L, 20 vjeç, banues në Tiranë, ku vijon puna intensive për kapjen e tij. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përgatitur kushtet për përpunimin e lëndëve narkotike, duke arritur të prodhonin lëndë narkotike sintetike në formë xhelatine (“karamele”)”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 50 paketime me lëndë narkotike në formë karamelesh, si dhe materiale dhe pajisje për përpunim, përfshirë kanabis, xhelatinë, peshore elektronike dhe kallëpe plastike. Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.