Harmonizimi i pagave, rritje deri në 40% e pagës bazë për zjarrfikësit e Gostivarit

Zjarrfikësit në Gostivar përfitojnë një rritje të konsiderueshme të pagave, e cila në total arrin deri në 40% në pagën bazë, në përputhje me marrëveshjen për harmonizimin e pagave të nënshkruar nga zjarrfikësit dhe Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.

Sipas marrëveshjes, rritja e pagës bazë realizohet përmes sistemit të pikëve dhe pozicioneve të punës, duke reflektuar përvojën dhe përgjegjësinë e secilit zjarrfikës. Kjo përbën një rritje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme në të ardhurat mujore.

Përveç kësaj, marrëveshja parasheh edhe rritje shtesë graduale prej 21%, e cila do të zbatohet në tri faza:
• 7% nga 1 mars 2026
• 7% nga 1 mars 2027
• 7% nga 1 mars 2028

Ndryshimet në kontratën kolektive përfshijnë edhe përmirësime të rëndësishme në kompensimet shtesë:
• 50% shtesë për punë në ditë pushimi javor
• 5% shtesë për punë në ndërrime

Gjithashtu, është garantuar e drejta për kompensim të orëve shtesë të punës, në formë pagese ose ditësh pushimi, në përputhje me ligjin përkatës për zjarrfikësit.

Në një vizitë në NjTKZ, kryetari Limani theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një nga avancimet më të mëdha për këtë kategori të punonjësve në Gostivar, duke rritur ndjeshëm mirëqenien e tyre dhe duke dëshmuar përkushtimin institucional për vlerësimin e punës së tyre në shërbim të qytetarëve.