Partive s’iu ngutet për presidentin

Pas aktgjykimit të Kushtetueses për presidentin, ka ndodhur vetëm një takim në funksion të zgjedhjes së një kandidati konsensual. Takimet do të intensifikohen në ditët në vijim, kanë paralajmëruar përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. E, zyrtarë opozitarë kanë kërkuar më shumë seriozitet dhe hapa konkretë nga kryeministri Albin Kurti
Gjithsej 20 ditë kohë kanë mbetur për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme, duke zgjedhur presidentin e ri të shtetit. E, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetueses në lidhje me presidentin, është realizuar vetëm një takim me qëllim arritjen e konsensusit për kandidatin.

Kryeministri Albin Kurti, është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por nuk ka arritur pajtim për këtë çështje. E, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu deri më 28 prill.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se takimet do të intensifikohet ditëve në vijim.

“Besoj që gjatë këtyre ditëve do të intensifikohen përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe që presidenti të zgjidhet brenda afatit kushtetues, sepse jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në Kuvend. Zgjedhjet e reja nuk do të sillnin rezultat tjetër dhe janë të panevojshme”, ka thënë Nagavci.

E, deputetja nga radhët e PDK-së, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit, Vlora Çitaku, kërkoi më shumë seriozitet nga kryeministri Kurti për këtë proces. Sipas saj, PDK-ja është në pritje të letrës së kërkuar.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duhet ta trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit me seriozitet dhe përgjegjësi që një situatë e tillë imponon. Tash është radha që Vetëvendosja deklaratat e saj publike t’i konkretizojë në një letër të shkruar që PDK-ja do ta shqyrtojë. Deri tani nuk kemi pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Vetëvendosja”, ka thënë Çitaku.

E shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se përgjegjësia për zgjidhjen e situatës bie mbi shumicën parlamentare.

“Është tepër e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që Gjykata Kushtetuese ka vënë afate të qarta. Duhet seriozisht të bëhen diskutime intensive me qëllim të daljes nga kjo situatë dhe për t’i dhënë vendit një president. Ne presim që bisedimet të jenë gjatë ditëve të mbetura. Varet nga ata që kanë maksimumin e votave, por rreziku është shumë i madh që të shkojmë në zgjedhje në mungesë zgjidhjeje. Pa vullnetin politik të tyre nuk mund t’i jepet zgjidhje vendit”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Ajo ka mohuar se në takimin e fundit me Kurtin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka kërkuar postin e presidentit.

“Këto janë dezinformata. Ju keni marrë deklaratën zyrtare të Abdixhikut, i cili ka qenë prezent dhe i ka bërë këto negociata. Ne jemi të bindur dhe të gatshëm të japim kontribut në këto takime. Çfarëdo që diskutohet jashtë asaj që ne japim deklaratë zyrtare janë dezinformata”, ka thënë ajo.

Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, që është edhe ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje partive që të tregojnë vullnet politik.

“Uroj që të mos vijmë në situatën kur duhet të caktohet data e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh. Nëse i duhem grupeve parlamentare, jam e gatshme të ndihmoj me takime, por është e rëndësishme që të gjitha partitë të dëshmojnë vullnet për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Haxhiu.

Deri tash, Kurti nuk ka takuar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për çështjen e presidentit.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka kërkuar nga kryeministri që t’i ftojë të gjithë kryetarët e partive opozitare në një takim të vetëm. Ajo ka thënë se vetëm një takim i tillë do të kishte efekt.

Bytyqi ka theksuar se Kurti nuk po dëshiron zgjidhje, por zgjedhje.

“Unë kam kërkuar që zoti Kurti t’i thërrasë kryetarët e partive opozitare të gjithë në një takim të përbashkët, sepse ne nuk e dimë se çka po flitet brenda në takim dhe kjo është joserioze ndaj Kurtit. Po nëse bëhet një takim i të gjithë liderëve opozitarë me Kurtin kjo do të kishte sjellë efekt. Mirëpo ne po e dimë që Kurti nuk po do me e pasë një zgjidhje, por po do zgjedhje dhe po mundohet që fajin me ua gjujtë opozitës. Ne po e shohim të gjithë që Kurti po i do zgjedhjet’, ka thënë ajo, një ditë më parë.

Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin, ose Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

Para vendimit të Kushtetueses, që u dha afat deputetëve deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin ose vendi shkon në zgjedhje të reja, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pati takime me Kurtin. Megjithatë ato nuk prodhuan rezultat.

Kurti dhe LVV-ja më 5 mars propozuan dy emra të partisë për kandidatë për president – Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxhën. Por, në seancë nuk ka pasur deputetë mjaftueshëm në sallë për ta nisur votimin, meqë kërkohen së paku 80 deputetë për të votuar.

Pastaj presidentja e atëkohshme Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, por që u hodh poshtë si pa efekt juridik nga Kushtetuesja. Sipas gjykatës, Kuvendi shpërndahet me automatizëm, nëse nuk e zgjedh presidentin në afatin që e ka caktuar.