Teherani me plan të qartë: 10 kushte për përfundimin e luftës

Plani me 10 pika i Teheranit përfshinë edhe kërkesën për njohjen e të drejtës për pasurimin e uraniumit

Klevis Hoxhaj
Shtetet e Bashkuara dhe Irani arritën një marrëveshje armëpushimi gjatë natës, duke hapur një dritare dyjavore për negociata dhe ulje të tensioneve në rajon.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi propozimin iranian si një “bazë të zbatueshme” për bisedime, duke u zotuar se nuk do të ketë sulme ndaj Iranit gjatë kësaj periudhe.
Sipas marrëveshjes, Irani pranon të rihapë Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë, ndërsa negociatat mes palëve pritet të nisin të premten në Islamabad, me përfaqësues të nivelit të lartë nga të dyja vendet.
Ndërkohë, Izraeli ka bërë të ditur se do ta respektojë armëpushimin, edhe pse ka shprehur shqetësime për mungesën e përfshirjes së interesave të tij në marrëveshje. Operacionet ushtarake në Iran janë ndalur, ndërsa situate në Liban mbetet e paqartë, me raportime për sulme të vazhdueshme.
Në thelb të negociatave qëndron një plan me 10 pika i paraqitur nga Irani, I cili përcakton kushtet për një marrëveshje më të gjerë dhe afatgjatë:
-Koordinimi i kalimit në Ngushticën e Hormuzit nën mbikëqyrjen e forcave iraniane
-Përfundimi i luftës ndaj Iranit dhe aleatëve të tij
-Tërheqja e forcave të Shtetet e Bashkuara nga të gjitha bazat në rajon
-Krijimi i një protokolli të sigurt kalimi në ngushticë nën kontroll iranian
-Pagesa e plotë e reparacioneve ndaj Iranit
-Heqja e të gjitha sanksioneve, përfshirë ato të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së
-Zhbllokimi i të gjitha aseteve iraniane jashtë vendit
-Miratimi i marrëveshjes përmes një rezolute detyruese të OKB-së
-Angazhimi i Iranit për të mos zotëruar armë bërthamore
-Njohja e të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit

Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë dhe amerikanë kanë shpallur secili “fitore”, ndërsa Shtëpia e Bardhë thekson se rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe vijimi i negociatave janë rezultat i presionit të ushtruar nga Donald Trump dhe ushtria amerikane.
Lufta, tashmë në javën e gjashtë, ka shkaktuar mbi 5 mijë viktima në disa vende, ndërsa armëpushimi shihet si një mundësi e rrallë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të arritur një marrëveshje më të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. “Albanian Post”