Zyrtarë të disa prej shteteve kryesore në botë kanë reaguar pas arritjes së armëpushimit dyjavor ndërmjet
Ministria e jashtme e Irakut ka thënë se “e vlerëson këtë si një zhvillim që mund të kontribuojë në uljen e tensioneve, rritjen e mundësive për de-eskalim dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.
Udhëheqësit evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, e mirëpritën marrëveshjen e armëpushimit.
“Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit”, ka thënë Starmer për të cilin Downing Street ka njoftuar se të mërkurën do të udhëtojë për në Lindjen e Mesme.
Omani, një bashkëbisedues kyç, ka thënë se e mirëpriti njoftimin e armëpushimit dhe përgëzoi rolin e Pakistanit në ndërmjetësim, sipas një deklarate nga ministria e saj e Jashtme.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se njoftimi ishte “lajm pozitiv”, duke i thënë Sky News Australia se shpreson që ai “të çojë në një depërshkallëzim të përhershëm dhe në fund të konfliktit”. Albanese gjithashtu ka kritikuar retorikën e mëparshme të Trumpit, duke thënë se “potenciali i dëmtimit të infrastrukturës civile në Iran ishte një deklaratë e jashtëzakonshme për t’u bërë”.
Egjipti e ka quajtur armëpushimin “një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve dhe përmbajtjes së tensioneve rajonale”.
Sekretari kryesor i kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, ka thënë se “Ajo që është më e rëndësishme tani është që situata të qetësohet vërtet, duke përfshirë sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”.
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje “të gjitha palëve të përmbushin detyrimet e tyre” dhe “t’u përmbahen kushteve” të marrëveshjes, sipas një deklarate nga zëdhënësi i tij.



