Irani ndal negociatat me SHBA, rritet tensioni për Hormuzin

Irani ka ndërprerë komunikimet direkte me Shtetet e Bashkuara, në një përshkallëzim të ri të tensioneve, sipas raportimeve të Wall Street Journal dhe New York Times, që citojnë zyrtarë të njohur me zhvillimet.

Lëvizja vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po intensifikojnë sulmet për të detyruar Teheranin të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë një marrëveshje armëpushimi.

Megjithatë, ndërprerja e kontakteve direkte nuk ka ndalur plotësisht procesin diplomatik.

Burimet bëjnë me dije se negociatat vijojnë përmes ndërmjetësve, edhe pse zhvillimi ka komplikuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje përpara afatit të vendosur nga Washington-i.

Ende mbetet e paqartë nëse kontaktet direkte mes palëve do të rifillojnë përpara afatit të së martës në mbrëmje.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dhënë Iranit një afat të shkurtër për të rihapur ngushticën, duke paralajmëruar sulme ndaj infrastrukturës civile në rast refuzimi.

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kyçe për furnizimin global me naftë, ndërsa Irani nuk ka dhënë shenja tërheqjeje nga bllokimi.

Megjithatë, më herët të dyja palët kishin paraqitur propozime për negociata.

Sipas raportimit, Irani kishte propozuar një plan me 10 pika, duke kërkuar garanci sigurie dhe ndalimin e goditjeve ndaj aleatëve të tij, ndërsa në këmbim do të rihapte ngushticën dhe do të vendoste tarifa për kalimin e anijeve.

Trump e kishte cilësuar këtë si “një hap të rëndësishëm”, por të pamjaftueshëm.

Ndërmjetësimi mes palëve po kryhej nga Pakistani, ndërsa Egjipti dhe Turqia kishin inkurajuar dialogun.