Qeveria miratoi masa të reja kundër krizës së derivateve, por çmimet mbeten të njëjta

Screenshot

Pavarësisht se autoritetet morën masa për çmimet e karburanteve, ato nuk do tw ulen. Qeveria në seancë të jashtëzakonshme uli akcizën për karburantet: për naftën me 4 denarë, ndërsa për benzinën 2 denarë. Gjithashtu, vazhdoi masa për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%, si dhe zbritja për karburantet që marrim nga Kompania “Okta” do të vazhdojë deri në fund muajit. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, nëse këto masa nuk do të ishin ndërmarrë, çmimi i naftës do të arrinte deri në 102 denarë.

“Kur të mblidhen dhe analizohen të gjitha këto, atëherë arrijmë në një çmim që për naftën do të mbetet i njëjtë si deri tani, nëse llogaritet zbritja prej 4 denarë nga akciza dhe 3 denarët që i marrim nga ‘Okta’, kështu që ato 7 denarë rritje potenciale për litër i amortizojmë, ndërsa për benzinën pa plumb 95 dhe 98 oktan, përveç 2 denarëve akcizë për litër, do të kemi edhe 2 denarë ulje shtesë për litër, pra do të jemi nën çmimin që ishte në periudhën e kaluar të rregulluar, pra javën e kaluar”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ndërkohë, konsumi i karburanteve në kufirin verior, perëndimor dhe jugor është trefishuar, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, por sipas tij kjo nuk do të dëmtojë qytetarët në vend.

“Gjithashtu, më lejoni t’ju informoj se javën e kaluar konsumi i karburantit arriti në nivel rekord prej 2 milionë litrave në ditë. Kemi presion të madh në kufirin verior, perëndimor dhe jugor, ku konsumi në disa pika të karburantit është trefishuar, që do të thotë se qytetarët e vendeve fqinje vijnë te ne për të mbushur rezervuarët dhe për të përdorur shërbimet e pompave tona të karburantit. Në këtë moment nuk kemi nevojë për asnjë kufizim”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ndërkohë, Ministria e Energjisë po shqyrton rekomandimet për kursim që së fundmi i ka prezantuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Në pakon e rekomandimeve përfshihen: kufizimi i kërkesës për karburant, ulja e kufizimit të shpejtësisë në autostrada për 10 km/orë, nxitja e përdorimit të transportit publik, sistemi tek–çift për automjetet private si dhe puna nga shtëpia aty ku është e mundur./Alsat.mk.