Pengesë ndaj shqipes në Maqedoni është shkelje e të drejtave, deklaratë e fortë e Marin Memës

Gazetari Marin Mema ka reaguar lidhur me debatin për të drejtat gjuhësore të studentëve shqiptarë në Maqedonia e Veriut, duke kërkuar që provimet në universitete të mund të jepen në gjuhën shqipe.

Në një deklaratë publike, Mema theksoi se kjo e drejtë nuk duhet të kufizohet vetëm në fusha të caktuara si jurisprudenca, por të vlejë për çdo provim.

“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet të kenë të drejtë t’i japin provimet në gjuhën shqipe! Jo vetëm provimet në jurisprudencë (debati aktual), por çdo provim duhet të jetë në shqip!”, u shpreh ai.

Ai shtoi se çdo pengesë ndaj kësaj të drejte përbën cenim të të drejtave themelore të shqiptarëve në vend.

“Kush e pengon diçka të tillë, po pengon të drejtat e natyrshme të një populli në tokën e tij!”, deklaroi Mema.

Në reagimin e tij, gazetari bëri thirrje edhe për angazhim institucional nga Shqipëria.

“Shteti shqiptar të reagojë e të mbajë qëndrim!”, përfundoi ai.