ASh: Deklarata e drejtorit të Entit të Statistikave skandaloze dhe e rrezikshme

Të paralajmërosh se në regjistrimin e ardhshëm do të përfshihet vetëm popullata rezidente, ndërsa qytetarët jorezidentë të lihen jashtë, nuk është çështje teknike. Është agjendë politike për përjashtim.

Mërgata nuk mund të fshihet me vendim administrativ. Qytetarët jorezidentë janë pjesë e pandashme e këtij shteti.

Ata kanë familje, prona, investime dhe të drejta që askush nuk mund t’ua mohojë.

Edhe më shqetësuese është përpjekja që kjo të arsyetohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky është manipulim i pastër.

Pas sulmeve ndaj gjuhës shqipe, diskriminimit në arsimin e lartë, devijimit të Korridorit 8 dhe deklaratave të papërgjegjshme për ndryshimet kushtetuese, tani po tentohet të goditet edhe përbërja reale e popullsisë.

Kjo nuk është rastësi. Kjo është strategji. Provokojnë, testojnë reagimin dhe pastaj tentojnë ta kthejnë në politikë zyrtare.

Aleanca për Shqiptarët e refuzon kategorikisht çdo tentativë për përjashtimin e popullatës jorezidente nga regjistrimi i ardhshëm. Regjistrimi nuk mund të bëhet instrument i inxhinierisë politike dhe etnike.