Prokuroria kërkon paraburgim për një 31-vjeçar, dyshohet për shpërndarje të pornografisë me të mitur

Prokuroria kërkon paraburgim për një 31-vjeçar nga Manastiri, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe shpërndarje të pornografisë me të mitur”, që dënohet sipas nenit 193-a, alinea 3 në lidhje me alinenë 2 të Kodit Penal, përcjell TV21. Nga Prokuroria thonë se pas njoftimit nga autoritetet e Australisë, po kryejnë kontrolle në Shkup dhe qytete të tjera, për të zbuluar raste të tjera.

“I dyshuari, 31-vjeçar, i cili ishte i punësuar në institucion arsimor, në periudhën nga prilli i vitit 2024, deri më 01.04. 2026, në pajisjet kompjuterike që kishte në shtëpi, kishte marrë për vete dhe kishte materiale pornografike me të mitur. Procedura është rezultat i veprimeve paraprake hetimore të Prokurorisë, në koordinim me Sektorin për Punë të Brendshme të Manastirit dhe Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në Shkup, të cilat u zhvilluan pas një njoftimi nga Policia Federale Australiane, e cila më parë kishte kryer një aksion për të zbuluar faqe interneti përgjegjëse për shpërndarje të fotografive dhe videove që kishin përmbajtje të keqtrajtimit të fëmijëve. Shërbimet australiane kryen një operacion për të identifikuar përdoruesit e adresave IP që kanë tentuar të aksesojnë një ose më shumë faqe interneti, ku u identifikuan disa përdorues të regjistruar unikë, adresat e tyre elektronike dhe adresat IP, disa prej të cilave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për çka është dërguar njoftim edhe te organet hetimore në Maqedoni”, thonë nga Prokuroria.