Meka do të ketë një aeroport/ Pelegrinët do mund të mbërrijnë më shpejtë për Haxhin

Arabia Saudite ka miratuar zyrtarisht planet për ndërtimin e një aeroporti të dedikuar në Mekë, një hap i rëndësishëm për përmirësimin e aksesit të transportit për miliona pelegrinë çdo vit.

Drejtori ekzekutiv i Komisionit Mbretëror për Qytetin e Mekës dhe Vendet e Shenjta, Saleh Al-Rasheed, konfirmoi se janë përfunduar të gjitha miratimet strategjike dhe ekonomike për projektin. Ai theksoi se aeroporti do të zhvillohet përmes partneriteteve me sektorin privat, duke respektuar standardet ndërkombëtare.

Aktualisht, Meka nuk ka një aeroport funksional dhe shumica e vizitorëve ndërkombëtarë përdorin Aeroportin Ndërkombëtar të Mbretit Abdulaziz në Xheda, rreth 100 km larg, duke udhëtuar pjesën tjetër të rrugës me tokë. Projekti i ri do të lehtësojë qasjen direkte në qytet, megjithëse terreni malor i Mekës paraqet sfida për fluturimet, si turbulenca, dukshmëria dhe moti i paqëndrueshëm.

Vitin e kaluar, Arabia Saudite priti më shumë se 1.5 milion pelegrinë të huaj për Haxhin, duke e bërë Meken një nga destinacionet më të vizituara fetare në botë. Me aeroportin e ri, autoritetet synojnë të përmirësojnë qasjen dhe sigurinë për miliona pelegrinë që vizitojnë qytetin çdo vit.

Aeroporti i ri synon të plotësojë kapacitetet ekzistuese, si Aeroporti Ndërkombëtar King Abdulaziz, dhe të reduktojë kohën e udhëtimit për pelegrinët. Ky projekt është pjesë e Vizionit 2030 të Arabisë Saudite, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e lidhshmërisë dhe përmirësimin e përvojës së pelegrinazhit.

© SYRI.net