Frontet pro Evropës partitë politike historikisht i kanë krijuar kur janë gjendur në krizat më të mëdha elektorale

Derisa LSDM-ja sot është vënë në kërkim të forcave proevropiane në vend me qëllim që të krijojë në Front Evropian, emri i këtillë jo më larg se para dy vitesh ishte brend i BDI-së për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale nën moton “Jo Rusisë, po Evropës”.

Koalicioni i udhëhequr nga BDI do të dilte nga kornizat tradicionale të politikave njëetnikëshe, duke propaganduar se veprimi i tyre do të shtrihej në rrafsh multietnik me vizion për të parandaluar ndikimet ruse dhe për të hapur shtigjet evropiane. Tubimet hapeshin me himnin e Evropës, ndërsa krahas liderëve të partive shqiptare, në krye të vendit uleshin dhe liderët e partive të koalicionit nga komunitetet turke, rome dhe boshnjake. Këtij formati, iu bashkuan edhe ASH-ja e Ziadin Selës dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit, të cilët për dy dekada kishin qenë në pole të kundërta politike.

Por pasi mbaruan zgjedhjet dhe Fronti Evropian nuk u bë pjesë e Qeverisë, koalicioni filloi të shpartallohet. U larguan partia turke dhe rome, ndërsa më pas edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit. Në përgatitje e sipër për zgjedhje lokale, Fronti Evropian filloi të ribrendohet në Front Kombëtar duke e vendosur fokusin në politikat etnike dhe jo multietnike.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe koalicioni mori emër krejtësisht të ri, pas përplasjeve të reja politike. ASH-ja e Taravarit braktisi VLEN-in dhe iu bashkua Ali Ahmetit në koalicion, pavarësisht rezistencës së Ziadin Selës. Emri i ri i këtij koalicioni do të ishte Aleanca Kombëtare për Integrim, e cila synonte t’i fitojë komunat me shumicë shqiptare. Por edhe ky koalicion u përça.

Koalicioni do të rikthente moton ikonike të BDI-së “Bashkë”, ndërsa spotet propaganduese i shoqëronte me këngën patriotike të Shkurte Fejzës “Vendi im”.

Pas humbjes në zgjedhjet lokale, ASH-ja e Ziadin Selës braktisi koalicionin./Alsat.mk.