Zyra e BE-së në Kosovë do të mbetet pa ambasador edhe për një kohë

Koha mëson nga burime diplomatike se në BE nuk kanë arritur të përmbyllin emërimin formal të ambasadorit të ri në Kosovë, i cili pritej të ishte një diplomat i lartë nga Italia. Prandaj, mund të kalojnë disa javë apo muaj deri te emërimi i shefit të zyrës në Prishtinë, i cili, për shkak të rëndësisë së postit, mban edhe statusin e Përfaqësuesit Special të BE-së.
Një diplomat italian (emri i njohur për redaksinë), me përvojë në shërbimin diplomatik të BE-së dhe gjithashtu në rajon, ishte përzgjedhur jozyrtarisht për të udhëhequr Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Në këtë post, ai do të ishte pasardhës i diplomatit estonez Aivo Orav, i cili tashmë ka nisur mandatin si ambasador i Bashkimit Evropian në Ankara, kryeqytetin e Turqisë.

Por, siç mëson Koha nga disa burime diplomatike, emërimi formal i ambasadorit të ri në Kosovë nuk është finalizuar dhe tani kjo zyrë me rëndësi të veçantë pritet të mbetet për një kohë pa drejtues të përhershëm, duke u udhëhequr nga një ushtrues detyre.

Zyra në Kosovë, së bashku me atë në Sarajevë, ka një status të veçantë, pasi udhëhiqet edhe nga një Përfaqësues i Posaçëm i BE-së. Një status të tillë e kanë edhe disa ambasadorë të Bashkimit Evropian në vende që konsiderohen më problematike nga aspekti i sigurisë.

Postin e Përfaqësuesit Special e mban edhe Peter Sørensen, në cilësinë e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Disa diplomatë në BE janë shprehur se ishin jashtëzakonisht të kënaqur me punën që, gjatë mandatit të tij (edhe pse jo të plotë), kishte bërë ish-shefi i Zyrës së BE-së, Aivo Orav. Mandati i tij përkoi me një periudhë të vështirë, me krizë politike në Kosovë, kur nuk ishin formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve dhe kur raportet me BE-në ishin të dëmtuara për shkak të mungesës së besimit dhe masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian kishte vendosur ndaj Kosovës.

Burimet diplomatike në Bruksel nuk kanë dhënë arsye pse ende nuk është emëruar ambasadori i BE-së në Kosovë. Ata thonë se edhe vetë “nuk janë të sigurt se çfarë po ndodh”, duke theksuar se “i takon Përfaqësueses së Lartë, Kaja Kallas, të vendosë, e më pas vendeve anëtare të pajtohen me vendimin e saj”.

Tani situata mbetet disi e paqartë, por pritjet janë që të ketë një proces të ri për përzgjedhjen e ambasadorit të BE-së në Kosovë.

Disa burime diplomatike në Bruksel kanë spekuluar se një pengesë joformale mund të ketë qenë fakti që tashmë ka disa diplomatë italianë në rajonin e Ballkanit dhe në poste të larta në Bruksel që merren me Ballkanin Perëndimor. Italia ka ambasadorë të BE-së në Tiranë dhe Sarajevë, ndërsa ish-ambasadori i BE-së në Beograd, po ashtu italian, ka marrë një post të lartë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Bruksel.

Nëse edhe në Kosovë do të emërohej një diplomat italian, atëherë 3 nga 6 ambasadorët e BE-së në rajon do të ishin nga Italia. Kjo nuk përbën pengesë formale, por disa diplomatë nga vende anëtare kanë thënë se do të preferonin më shumë balancë gjeografike në përfaqësimin diplomatik të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, ka edhe diplomatë që theksojnë se “nuk është faji i Italisë nëse ajo ka më shumë interes se vendet e tjera për rajonin”. Ata vërejnë se Italia është veçanërisht e angazhuar në Shqipëri dhe Serbi gjatë diskutimeve në strukturat e BE-së.

Italia është padyshim një nga vendet më të interesuara për rajonin dhe këtë e dëshmon edhe përmes kandidimit të diplomatëve të saj për poste në BE dhe NATO që lidhen me Ballkanin. Edhe shefi i EULEX-it është nga Italia, ndërsa ky vend ka pasur shpesh komandën e misionit të KFOR-it në Kosovë. Italia ka gjithashtu numrin më të madh të ushtarëve në këtë mision, me mbi 900, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 600 pjesëtarë.

Derisa të emërohet formalisht ambasadori i ardhshëm i BE-së në Kosovë, zyra në Prishtinë do të drejtohet nga Eva Pálatová në cilësinë e ushtrueses së detyrës.

Disa diplomatë të vendeve anëtare do të preferonin që BE-ja ta emërojë sa më shpejt ambasadorin në Kosovë dhe të rrisë dinamikën e marrëdhënieve me vendin. Ata thonë se “ka pasur vërejtje se Kosova është neglizhuar”, duke përmendur si shembull faktin që Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, edhe pas 14 muajsh në detyrë, nuk e ka vizituar Kosovën, ndërsa vendet e tjera të rajonit i ka vizituar, disa prej tyre më shumë se një herë.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, e kishte vizituar Kosovën në kuadër të një turneu rajonal. Mungesa e kontakteve më të shpeshta është arsyetuar shpesh në BE me faktin se Kosova ka qenë “në fazë të përhershme zgjedhore”, se “nuk ka pasur institucione me legjitimitet të plotë” dhe, në disa raste, edhe për shkak të masave ndëshkuese politike.

Megjithatë, tani konsiderohet se kjo situatë është tejkaluar, pasi masat janë hequr. Sidoqoftë, një ngërç i ri politik në Kosovë mund të dëmtojë progresin drejt BE-së dhe të ndikojë edhe në dinamikën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.