Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se mbajtja edhe e një palë zgjedhjeve nuk ua heq përgjegjësinë partive politike për të bashkëpunuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës, ajo ka thënë se Kuvendi është vendi ku merren vendimet dhe se nuk ka asnjë adresë tjetër ku mund të zhvendoset kjo përgjegjësi.
Ajo ka thënë se qytetarët presin nga deputetët që të marrim vendime.
“Edhe ata që mendojnë e punojnë për zgjedhje, duhet ta dinë se zgjedhjet nuk na e heqin përgjegjësinë për të bashkëpunuar për të njëjta tema, herët apo me vonë, enë këto kushte më mirë tani sesa me vonë”, është shprehur Nagavci
Ajo ka thënë se rifillimi i punës së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një moment që kërkon qartësi, seriozitet dhe përgjegjësi.
“Në këtë fazë kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim”, është shprehur Nagavci. “Para nesh kemi një proces të rëndësishëm kushtetues, zgjedhja e presidentit të Republikës. Nga secila e secili prej nesh kërkohet pjekuri politike. Nën emrin e çdo deputeti nënshkruhet serioziteti i këtij institucioni. Procesi duhet të udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit”, ka shtuar Nagavci.



