Drejtoria e të Ardhurave Publike kërkon që studentët të paguajnë tatim mbi të ardhurat nga ‘work&travel’

Studentët nga Maqedoniae Veriut që kanë punuar punë sezonale në Gjermani këto ditë janë të revoltuar për shkak të detyrimeve të paplanifikuara tatimore, pasi kanë marrë njoftime nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) për të dorëzuar përllogaritje elektronike të tatimit mbi të ardhurat personale (E-TPA) dhe për t’i deklaruar të ardhurat e fituara jashtë vendit, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse bëhet fjalë për një detyrim ligjor që, sipas institucioneve, ekziston prej vitesh, kjo gjë për ditë të tëra ka qenë diskutimi kryesor mes studentëve për shkak të informacioneve të ndryshme që ata i kanë marrë nga institucionet dhe për shkak të mosrealizimit të kësaj praktike në vitet e mëparshme.

Studentët që iu drejtuan platformës studentore Studentarija.mk kanë deklaruar se kanë marrë informacione të ndryshme nga DAP-i në lidhje me atë që duhet të paguajnë. Pasi fillimisht iu tha se do duhej të paguanin tatim mbi rimbursimin e tatimit që e kanë marrë nga Gjermania, dje nga DAP-i për Meta.mk thanë se tatimi paguhet mbi të ardhurat e përgjithshme që i kanë fituar studentët.

„Në një njësi rajonale të Drejtorisë studentëve u thonë se nuk detyrohen asgjë. Në një tjetër u thonë se duhet të paguajnë tatim vetëm mbi tatimin e rimbursuar. Qëndrimi zyrtar i DAP-it shtetëror, nga ana tjetër, është i prerë: tatohet i gjithë fitimi në Gjermani“, njoftuan nga Studentarija në Instagram.

Nga DAP shpjegojnë se nuk bëhet fjalë për një obligim të ri, por për zbatimin e ligjeve ekzistuese.

Nga atje theksojnë se paga që studentët e kanë realizuar në Gjermani konsiderohet si e ardhur e tatueshme në Maqedoni. Me këtë rast objekt i tatimit janë të ardhurat e përgjithshme, gjegjësisht shuma bruto e fitimit, e cila e përfshin pagën neto dhe tatimin që fillimisht ishte mbajtur në Gjermani, e që më vonë eventualisht u është kthyer studentëve.

„Përkatësisht, të ardhurat të cilat studentët-rezidentë tatimorë të Maqedonisë i kanë realizuar nga puna e përkohshme/sezonale në Gjermani (pagë e realizuar nga jashtë), paraqesin të ardhura të cilat i nënshtrohet tatimit në Maqedoni. Tatimit i nënshtrohen të ardhurat e përgjithshme, gjegjësisht paga bruto e realizuar me punë në Gjermani, që përfaqëson pagën neto të realizuar dhe tatimin që fillimisht është paguar në Gjermani (i mbajtur nga ana e paguesit), e që pastaj i është kthyer studentit nga ana e administratës tatimore të Gjermanisë“, thonë nga DAP për Meta.mk.

Marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë parasheh rregulla për atë se ku duhet të tatohen të ardhurat.

Sipas DAP-it, nëse studentët kanë qëndruar në Gjermani më pak se 183 ditë (ose gjysmë viti) gjatë një viti, të ardhurat nga puna tatohen në Maqedoni. Në këto raste, sipas tyre, pikërisht për këtë arsye autoritetet gjermane kryejnë rimbursim të tatimit të mbajtur paraprakisht.

Pasi studentët ta marrin rimbursimin nga Gjermania, në Maqedoni tatimi konsiderohet i papaguar.“

Nëse qëndrimi ka qenë më i gjatë se 183 ditë, atëherë të ardhurat tatohen në Gjermani. Në një rast të tillë, tatimi i paguar në Gjermani mund të njihet si kredi tatimore nëse dorëzohet dokumentacioni përkatës. Por, është e rëndësishme të theksohet se të gjithë studentët që udhëtojnë përmes programit Work&Travel qëndrojnë dhe punojnë në shtete të tjera më pak se 183 ditë.

“Duke pasur parasysh se puna që studentët e kanë kryer në Gjermani është e karakterit të përkohshëm ose sezonal, nëse studentët kanë qëndruar në Gjermani për një periudhë që nuk i kalon 183 ditët brenda një periudhe prej dymbëdhjetë muajsh, periudhë e cila fillon ose mbaron në vitin përkatës fiskal, të ardhurat që studentët i kanë realizuar nga puna në Gjermani duhet t’i deklarojnë në DAP dhe ta paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale. Pikërisht kjo është arsyeja se pse administrata tatimore e Gjermanisë bën kthimin e tatimit të paguar në Gjermani për studentët”, shpjegojnë nga DAP.

Sipas Drejtorisë, studentët duhet t’i deklarojnë të ardhurat përmes sistemit elektronik të shërbimeve tatimore të DAP-it, duke dorëzuar përllogaritjen elektronike më së voni deri në datën 10 të muajit për të ardhurat e realizuara në muajin paraprak.“

„Në përllogaritje shuma e pagës nga jashtë paraqitet si Lloji i të ardhurave T1. Të ardhura nga puna dhe Nën-lloj i të ardhurave S1.2. – Paga të realizuara jashtë shtetit, me ç’rast si shtet në të cilin paguesi është rezident zgjidhet RP e Gjermanisë. Së bashku me përllogaritjen detyrimisht bashkëngjitet dëshmia për të ardhurat e realizuara jashtë shtetit, si për shembull përllogaritja-fleta e pagesës nga punëdhënësi/paguesi i pagës në Gjermani. Në rast kur tatimi është paguar në Gjermani (kur nuk është bërë rimbursimi i tatimit të paguar në Gjermani), krahas përllogaritjes nga punëdhënësi, detyrimisht dorëzohet edhe dëshmia për tatimin e paguar e lëshuar nga administrata tatimore e Gjermanisë,“ shpjegojnë nga DAP.

Zoran Koçovski nga agjencia „Kouzon“, e cila ndërmjetëson për programet për punë studentore jashtë shtetit, është i mendimit se ka papajtueshmëri në përcjelljen dhe raportimin për këtë problem. Sipas Koçovskit studentëve u është kërkuar të paguajnë tatim mbi shumën e rimbursuar të tatimit të paguar në Gjermani.

„Nëse kërkoni rimbursim të tatimit, ndërkohë që ne si shtet pretendojmë të jemi anëtar i BE-së, ju zgjidhni se ku do ta paguani tatimin: në shtetin ku keni punuar ose në shtetin tuaj“, deklaroi Koçovski.

Koçovski shton se në praktikë të ardhurat më së shpeshti mbeten në llogari jashtë shtetit dhe se nuk janë drejtpërdrejt të dukshme për institucionet vendase, përveç se nëse vetë qytetarët i deklarojnë ato.

„Ju i keni realizuar të ardhurat në Gjermani; nëse kompania gjermane jua ka dërguar paratë në Maqedoni — që nuk ka ndodhur, sepse studentëve u hidhen paratë në llogari në Gjermani — DAP-i nuk ka qasje në atë llogari nëse ju nuk bëni një deklarim tatimor kur të ktheheni në Maqedoni ku thoni fitova 10.000 euro, i solla në Maqedoni dhe deklaroj se do të paguaj tatim për 10.000 euro. Atëherë do të paguani tatim prej 11 përqind“, tha ai.

„Pas reagimeve nga studentët pasuan reagime edhe nga shumë organizata studentore, mes të cilave Parlamenti Studentor Universitar i UKM-së, Parlamenti Studentor Universitar i Universitetit “Kliment Ohridski” – Manastir dhe Parlamenti Studentor Universitar UAE-FON, të cilët shprehën mbështetjen e tyre dhe kërkuan sqarime institucionale.

Nga Parlamenti Studentor Universitar i UKM-së vendosën të mos komentojnë para se të mbahet takimi i nesërm me përfaqësuesit e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP).

Ndërkohë, nga Parlamenti Studentor Universitar i Universitetit “Kliment Ohridski” – Manastir kërkojnë që DAP-i të përgjigjet qartë se për cilën periudhë kohore paraprake vlen obligimi për deklarimin e të ardhurave, nëse studentët mund të përballen me gjoba ose kamata për mosdeklarim në kohë, si dhe pse kjo praktikë fillon të zbatohet pikërisht tani.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor Universitar UAE-FON në një postim në rrjetet sociale reagojnë se në vend të mbështetjes të rinjtë po përballen me tatim të padrejtë dhe e dënojnë këtë qasje.

Ndryshe, tani e disa javë qytetarët të cilët kanë punuar jashtë vendit protestojnë kundër tatimeve që u kërkohen t’i paguajnë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike për periudhën kur kanë punuar jashtë vendit. Qytetarët të cilët kanë punuar jashtë thonë se shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, por ky status nuk na njihet nga DAP.