Shkruan: Enver Bytyçi
Shoqatat e Veteranëve të Luftës zhvilluan dje një protestë kundër kryesisë së Kuendit të Kosovës, pasi kjo kryesi ka miratuar financimin e një ekspozite për krimet e Serbisë në këtë vend. Kjo ndodhi pasiqë ekspozita në fjalë kishte të dhëna të gabuara në paraqitjen e këtyre krimeve, të dhëna që ishin marrë edhe nga Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Natasha Kondiç në Serbi. Koordinatori i projektit, Shkëlzen Gashi, kërkoi ndjesë për këtë gabim dhe njerëz në Lëvizjen Vetëvendosje u distancuan nga ajo. Kryesia e Kuvendit e kishte votuar organizimin e kësaj ekspozite me vota unanime. Por Vlora Çitaku thotë se “Nuk i kanë thënë asaj se Shkëlzen Gashi është autori i kësaj ndërmarrjeje”! Nëse jo, Shkëlzeni, më siguri që është emërtuar subjekti OJQ që do të pranonte këtë financim. Por Vlorës nuk intereson kjo. Thjesht ka dashur ta dijë se është Shkëlzeni aty. Ndërkohë ajo nuk ka dashur të pyesë për koordinatorin e projektit. I ka pëlqyer ky projekt dhe e ka votuar. Tani ajo proteston! Proteston, sepse veteranët nuk protestuan kundër saj, kur u njoftua se Vlora si ambasadore e Kosovës në SHBA kishte lobuar për ndarjen e Kosovës!
Nisur nga ky fakt, më duhet të kthehem në retrospektivë. Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë e duhet të jenë njërëzit më të besuar të Kosovës. Edhe më të respektuarit. Sepse presupozohet se ata kanë luftuar për shtetin e Kosovës. Madje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo do të thotë se këta veteranë si dhe partiakët si Vlora që i mbështesin ata, do të duhet të luftojnë e protestojnë për çdo gjë anti-Kosovë. Sot ata protestojnë për disa gabime të paraqitura në një ekspozitë dhe për këtë duhen përgëzuar. Po pse nuk protëstojnë psh për paraqitjen e Kosovës me kufij të kontestuar me Serbinë nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama?!
Veteranët e bashkë me ta edhe Vlora përpiqen e bëjnë mirë që mbrojnë vlerat e luftës çlirimtare në Kosovë. Për këtë ata duhen mbështetur plotësisht. Por lufta u bë për Kosovën dhe territorin e saj. Pse kjo organizatë nuk e mbrojti territorin e Kosovës njësoj siç mbron vlerat dhe nderin e luftës së saj?! Pse nuk protestoi njëherë të vetme kundër ideve të ish-komandantit të saj, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ndarjen e territorit të vendit? Ose kur Richard Grennell, Eskobar, Mogherini, Lajçak, Borrell e të tjerë u investuan për t’i dhënë Serbisë territore autonome ose ekxytra-territore në Kosovë? Pse kjo organizatë nuk e mori në mbrojtje Kosovën, kur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan marrëveshjen e vitit 2013 dhe atë të 2015?! Pse nuk reaguan dhe nuk protestuan kundër Albin Kurtit, kur ai pranoi verbalisht marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit në shkurt-mars 2023?!
Akoma më tej. Organizata e Veteranëve të Luftës Çlirimtare do të duhej t’i kishte mbushur rrugët e sheshet e Kosovës kur ndodhi Banjska ose Iben lepenc për të protestuar kundër Serbisë. Do të duhet të kishte bërë namin me protesta, kur Edi Rama tha se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”! Ose kur ai kërkoi në samitin e NATO-s në qershor 2022 që të tolerohet Serbia e të mos vihet ajo para përgjegjeësisë pse nuk i vendos sanksione Rusisë! Duheshin shkulur rrënjët e së keqes me angazhimin e kësaj organizate kur në Banjskë u vra Afrim Bunjaku, kur para shumë vitesh u vra Enver Zyberi e në shumë raste të tjera.
Veteranët e Kosovës kanë toleruar dhe asnjë fjalë nuk e thanë kundër deklaratës së Baton Haxhiut para disa viteve, kur kërkoi që “Të falen krimet serbe në Kosovë” dhe se “Kosova duhet ndarë, duke ia dhënë veriun Serbisë”! Nuk e hapën gojën për këtë, sepse fjalia e tretë e Batonit ishte “Të mbyllej Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë” dhe kjo fjali u vlerësua prej veteranëve si më e rëndësishme sesa dy fjalitë e para, të fallen krimet serbe në Kosovë e të ndahet me Serbinë territori i saj. Kur tolerohet një analist që kërkon të mos ndëshkohen krimet mizore të Serbisë në Kosovë, e për më tepër bën thirrje për tjetërsimin e territorit të vendit, pse të mos tolerohet kjo ekspozita e sotme? Sepse ky Batoni, thonë veteranët, “është i yni”, ndërsa “Shkëlzeni është i Albinit”!
Ndërkaq veteranët e dinë se edhe Milosheviçi i pati thënë Batonit se “Ti Baton je i yni”! A kemi të drejtë së paku të shprehim habi, se si ka mundësi që i njëjti të jetë edhe i veteranëve që kanë luftuar Milosheviçin, edhe i vetë kasapit të Ballkanit?! Prandaj them se këto janë protesta me regji. Para se të protestosh, i dashur veteran, ndalu, merr frymë dhe kujto më së pari interesin e Kosovës. Kushdo që e shkel atë interes në shërbim të Serbisë duhet të mësojë se ti (ju) nuk pajtoheni me të. Pajtohu me një palë që i shërben Beogradit dhe mos u pajto me një palë tjetër, e cila ende nuk dihet se pse ka gabuar, kjo është e pandershme dhe ju bën të pabesueshëm! Vlerat e luftës qëndrojnë më shumë te Kosova dhe më pak te fati i një ekspozite.



