Publicisti Veton Surroi dhe gazetari e aktivisti Blerim Shala kanë diskutuar në podcastin PIKË mbi rrethanat politike dhe “koincidencat historike” që përcaktuan se kush do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Surroi theksoi se, nëse Pavarësia do të ishte shpallur më herët, siç ishte planifikuar fillimisht, në krye të institucioneve do të ishin kryeministri Agim Çeku dhe presidenti Fatmir Sejdiu. Megjithatë, ai nënvizoi se edhe në vitin 2008, kur Pavarësia u shpall zyrtarisht, ishte Sejdiu ai që duhej ta lexonte deklaratën.
“Është interesant, kjo shtyrja… më ka rënë disa herë në mend, ka mundur të ndodhte që Agim Çeku të jetë kryeministri, i cili e lexon deklaratën, gjegjësisht Fatmir Sejdiu gjithmonë është dashtë, edhe në njërin edhe në rastin tjetër. Por, këto janë koincidencat, domethënë koincidencat historike. Për disa muaj ka mundur t’i ndodhte dikujt tjetër me qenë aty”, ka thënë Surroi.
Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçin, ndërsa Sejdiu ishte president.
Nga ana tjetër, Shala rikujtoi se në vjeshtën e vitit 2007, Ekipi i Unitetit ishte përballë dilemave të rëndësishme rreth mënyrës së shpalljes së pavarësisë. Ai theksoi se institucionet e asaj kohe kishin kaluar nëpër ndryshime të shumta, duke përfshirë disa kryeministra si Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku, si dhe ndryshime në presidencë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe zëvendësimit të Nexhat Dacit me Kolë Berishën.
Sipas Shalës, përkundër këtyre ndryshimeve, një bërthamë e qëndrueshme e delegacionit kishte mbetur e pandryshuar, përfshirë Surroin, vetë Shalën dhe Hashim Thaçi, të cilët ishin pjesë e procesit nga fillimi deri në fund.
Ai shtoi se në diskutimet e mëvonshme ishte shqyrtuar edhe mundësia që pavarësia të shpallej nga një Asamble Kushtetuese, siç ndodh shpesh në praktikat historike, ku një organ i tillë jo vetëm shpall shtetin, por edhe miraton Kushtetutën.



