Qeveria greke njoftoi se paga minimale do të rritet nga 1 prilli, duke arritur në 920 euro bruto, sipas deklaratës së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Kjo shënon rritjen e gjashtë me radhë që nga viti 2019, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar, paga bazë është rritur me 40 euro në muaj. Përveç punonjësve që marrin pagën minimale, rritja ndikon edhe në një varg pagesash të lidhura, si shtesat për përvojën në punë dhe periudhat e njohura si trevjeçare. Kryeministri Mitsotakis theksoi se kjo përfaqëson një vijim të politikës së rritjes së të ardhurave në vitet e fundit.
“Ky shtim prej 40 eurosh në muaj krahasuar me vitin e kaluar përkthehet në një rritje kumulative prej mbi 415% që nga viti 2019, ose më shumë se 3.780 euro në vit,” tha ai.
Rritja do të pasqyrohet gjithashtu në përfitime sociale të ndryshme, si shtesa për të martuarit dhe asistenca për të papunët, e cila shkon në 564 euro nga 540 euro më parë. Pagesat për lejen e lindjes, lejen prindërore, programet e punësimit, praktikat profesionale dhe disa ndihma sezonale do të përfitojnë gjithashtu nga ky rritje.
Në të njëjtën kohë, qeveria ka planifikuar një shtesë horizontale prej 40 eurosh për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Autoritetet vënë në dukje se që nga viti 2019 paga minimale ka shkuar nga 650 në 920 euro dhe synimi i qeverisë është që ajo të arrijë 950 euro vitin e ardhshëm, për të mbështetur fuqinë blerëse të qytetarëve përballë rritjes së çmimeve.
Partitë opozitare dhe sindikatat, megjithatë, e konsiderojnë këtë rritje të pamjaftueshme përballë inflacionit të lartë. Sipas qeverisë, rritja është e mundur falë rritjes ekonomike prej rreth 2,1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e bërë të mundur një përmirësim gradual të të ardhurave pa e rënduar tepër biznesin, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme.
© SYRI.net



