Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përditësuar një postim në rrjetet sociale lidhur me Raportin e Transformimit BTI 2026 për Evropën Juglindore, pasi pati reagime të shumta për mënyrën se si ishte paraqitur Kosova në hartën shoqëruese të publikimit.
Në versionin fillestar, Kosova ishte paraqitur me vija të ndërprera, një format që në kartografi përdoret shpesh për territore me status të diskutueshëm, çka nxiti kritika dhe reagime nga përdorues të rrjeteve sociale që kërkuan sqarime për këtë paraqitje grafike.
Veprimtari Agim Aliçkaj në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar ashpër Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, duke e akuzuar për qëndrime dhe veprime kundër interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në raport me Serbinë.
Sipas tij, paraqitja e kufirit Kosovë–Serbi në një raport ndërkombëtar si vijë e ndërprerë nuk është thjesht gabim, por pjesë e një qasjeje të vazhdueshme politike që favorizon Serbinë dhe minimizon krimet e luftës.
Aliçkaj ka thënë gjithashtu se Rama ka ndikuar në narrativën ndërkombëtare dhe në proceset politike që lidhen me drejtësinë e pasluftës, duke e quajtur këtë qasje të dëmshme për çështjen shqiptare.
“Postimi i fundit i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me Raportin BTI 2026 për Evropën Juglindore—ku kufiri midis Kosovës dhe Serbisë paraqitet me vijë të ndërprerë, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë—mund të konsiderohej si një gabim ose mungesë vigjilence, nëse do të ishte bërë nga dikush tjetër.
Por jo nga Edi Rama. Është e vështirë të besohet se gabime kaq të rënda do t’i shpëtonin atij kaq lehtë. Më bindëse është se, që kur la pikturën dhe iu përkushtua politikës, ai ka vepruar vazhdimisht kundër interesave të Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar, në favor të racizmit dhe hegjemonizmit serb.
Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai ka vepruar hapur dhe vazhdimisht për të mohuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe për të rehabilituar kriminelin Vuçiç dhe klikën e tij fashiste. Përqafimet e tij me të kanë qenë të neveritshme.
Masakrat e panumërta serbe, për të, kanë qenë thjesht “rrëmujë”. Ai ka zbuluar një doktrinë të re sipas së cilës Serbia kriminale duhet së pari të falet për krimet e saj dhe vetëm më pas do të kërkojë falje. Ai ka ndikuar te zyrtarë të korruptuar në Kosovë për të dhënë amnisti për krime nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër ka kontribuar në krijimin e Gjykatës Speciale për të dënuar vetëm shqiptarët”, deklaron Aliçkaj.
Veprimtari akuzon ashpër Kryeministrin Edi Rama, duke e lidhur me procese politike që, sipas tij, kanë dëmtuar Kosovën dhe kanë rrezikuar integritetin e saj territorial.
Ai pretendon se Rama ka ndikuar në zhvillime që lidhen me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ka mbështetur nisma rajonale si “Ballkani i Hapur”, të cilat i konsideron të dëmshme për interesat shqiptare.
“Ai ka qenë faktori kryesor në dërgimin e ish-Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, në gjyq në Hagë. Tani ai bën deklarata boshe për lirimin e tij, duke mashtruar mbështetësit e Thaçit dhe duke shkaktuar përçarje në popullin e Kosovës.
Tokat shekullore dardane në veri të Kosovës, për të, janë toka që nuk i përkasin askujt. Edhe më të rrezikshme kanë qenë përpjekjet e tij, së bashku me Vuçiçin, Thaçin dhe Grenellin, për ndarjen e Kosovës si hap i parë drejt zhdukjes së saj si shtet. Më pas, me projektin famëkeq “Ballkani i Hapur”, ai do të bashkonte Shqipërinë me Serbinë, duke përmbushur ëndrrën e kahershme të Serbisë për dalje në det”, thekson ai.
Në fund, Aliçkaj ka sulmuar ashpër Kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se me qëndrimet e tij po dëmton Kosovën dhe po favorizon Serbinë në arenën ndërkombëtare.
Ai thotë se këto veprime nuk janë gabime, por të qëllimshme dhe të rrezikshme për shtetësinë e Kosovës, ndërsa vlerëson udhëheqjen kosovare për kundërshtimin e këtyre politikave.
“Artikulli i tij i përbashkët me kriminelin Vuçiç për hyrjen së bashku në Bashkimin Evropian—pa të drejtë vetoje për Serbinë dhe Shqipërinë—duke anashkaluar kushtin kryesor të njohjes së Kosovës, dhe paraqitja e Kosovës në hartë si pjesë e Serbisë, përfaqësojnë kulmin e veprimeve armiqësore të z. Rama.
Këto nuk janë gabime të paqëllimshme, por veprime të vetëdijshme, të planifikuara dhe me qëllim, që synojnë dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës, ndarjen dhe shkatërrimin e shtetësisë së saj. Përditësimi i postimit pas kritikave të shumta nuk ka asnjë vlerë. Madje, nuk i shkon ndër mend të kërkojë falje për fyerjen ndaj popullit të Kosovës, sidomos ndaj viktimave të pushtuesit serb.
Veprimet në interes të Serbisë mbulohen nga Rama me deklarata boshe dhe pompoze pa asnjë efekt real në terren, si “Kosova është e pavarur” e thënë në Beograd, “Poshtë Gjykata e Hagës”, “Liri për Thaçin”, “Shqipëria është në krah të Kosovës në rast konflikti”, etj. Edhe pse gjithçka është e qartë, mbështetësit e tij në Shqipëri dhe disa nga opozita jokonstruktive në Kosovë zgjedhin të besojnë dhe të mashtrohen.
Arsyet e veprimeve të tij antishqiptare janë të shumta dhe kërkojnë analizë të thellë dhe të dokumentuar. Ato variojnë nga egocentrizmi i sëmurë, inferioriteti ndaj serbëve, dëshira për dukje, kojtja, deri te mundësia e kurtheve serbe me shantazh përmes mjeteve të ndryshme të ulëta.
Fatmirësisht, të gjitha përpjekjet e tij deri më tani për të shkatërruar Kosovën kanë dështuar me turp, falë Kryeministrit të palëkundur dhe vigjilent të Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij si Glauk Konjufca dhe Donika Gërvalla, të mbështetur deri vonë nga Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani.
Udhëheqësit e Kosovës nuk e kanë të lehtë në përballjen me Kryeministrin e shtetit amë, por duhet ta bëjnë këtë me shumë kujdes, përmes taktikës, politikës dhe diplomacisë së rafinuar—pa u përballur drejtpërdrejt me të, por duke u fokusuar vetëm në çështjet e dëmshme dhe të rrezikshme që ai përfaqëson.
Mbetet detyrë parësore e të gjithë intelektualëve të pavarur dhe figurave kombëtare që, me fakte dhe argumente, të demaskojnë Kryeministrin e keq dhe të dëmshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, Edi Rama” – përfudnon ai për gazetën.



