Aeroplanmbajtësja amerikane ankorohet në portin kroat pas riparimeve

Aeroplanmbajtësja “USS Gerald R. Ford” është ankoruar në Portin e Splitit në Kroaci. Ankorimin e saj e njoftoi këtë të shtunë nga Marina Amerikane.

Përpara mbërritjes në Split, anija Ford po i nënshtrohej riparimeve në bazën e Marinës Amerikane në Kretë të Greqisë, pasi një zjarr shpërtheu në zonën e lavanderisë së anijes më 12 mars.

Zjarri nuk kishte lidhje me luftimet, tha ushtria amerikane në atë kohë. Aeroplanmbajtësja kishte marrë pjesë në operacionet amerikane kundër Iranit përpara zjarrit.

Aeroplanmbajtësja Ford, e cila është aeroplanmbajtësja më e përparuar e Marinës Amerikane, u dërgua në Lindjen e Mesme në shkurt për të ushtruar më shumë presion mbi Iranin. Më parë ishte vendosur në Karaibe si pjesë e përforcimit të ushtrisë amerikane në rajon mes tensioneve të larta me Venezuelën.