Policia e Krujës ka arrestuar dy shtetas dhe ka proceduar një tjetër, për organizimin e basteve sportive në mënyrë të paligjshme në disa lokale përmes celularëve.
Operacioni policor i koduar “Game Over 3” u finalizua pas një pune të mirëorganizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, të cilat po vijojnë evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit G. B., 34 vjeç, D. H., 24 vjeç ndërsa u procedua penalisht 39-vjeçari E. S., të tre banues në Krujë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 3 celularë që përdaheshin për vënien e basteve, ku u gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale u kaluan në Prokurori për veprime të mëtejshme. Shërbimet e Policisë Krujë vazhdojnë punën për goditjen e veprimtarive të kundërligjshme dhe garantimin e rendit ligjor në fushën e lojërave të fatit.



