Kurti pritet nga Macron në Pallatin Elize, konfirmohet partneriteti Kosovë–Francë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi vizitë dhe takim me drekë pune me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Presidenti Macron e uroi Kurtin për rizgjedhjen dhe mandatin e ri derisa Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj Kosovës.

Në takim morën pjesë edhe Ministri Francez i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, e Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.

“U theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian”, vijon njoftimi i Zyrës së Kryeministrit.

Në takim u diskutua edhe për integrimet dhe sigurinë në Evropë.

Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

“Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, vijon tutje komunikata e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan.

“Gjithashtu, u bisedua për planet dhe investimet në edukim, si dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, pas atij të suksesshëm të mbajtur në muajin shkurt sivjet në Prishtinë. Në këtë kontekst, Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë janë thirrje për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre”.

Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës./Telegrafi/