“Rrjeti i spiunazhit serb synon të minojë shtetësinë e Kosovës”

Një analizë e publikuar nga “The Kosovo Dispatch” flet rreth asaj që përshkruhet si një strategji e mirëfilltë e luftës hibride kundër Kosovës, përmes rrjeteve të spiunazhit të lidhura me inteligjencën serbe.

Sipas kësaj reviste, rastet e fundit të zbuluara nga institucionet e sigurisë në Kosovë nuk tregojnë vetëm për përpjekje për të mbledhur informacione të ndjeshme, por për një qasje që synon të minojë funksionimin e shtetit nga brenda.

Në këtë kontekst, “The Kosovo Dispatch” citon deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili e ka cilësuar operacionet e fundit (gjatë viteve të fundit) kundër-spiunazhit si më të koordinuarit dhe gjithëpërfshirësit që nga përfundimi i luftës .

Ai ka theksuar se këto aktivitete lidhen me një strategji më të gjerë të mbështetur nga Rusia, e cila fokusohet në delegjitimimin e institucioneve të Kosovës përmes dezinformimit dhe lajmeve të rreme.

Revista vlerëson se një nga elementët kyç të kësaj vale rastesh është koordinimi institucional ndërmjet Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Sipas “The Kosovo Dispatch”, ky bashkëveprim përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në kapacitetet shtetërore për të trajtuar raste komplekse të spiunazhit.

Një ndër rastet më të rëndësishme të përmendura është ai i Aleksandar Vlajiq, i cili në vitin 2025 u dënua për spiunazh. Sipas analizës, rëndësia e këtij rasti nuk qëndron vetëm te dënimi, por te fakti se ai zbuloi një rrjet më të gjerë rekrutimi dhe ndërmjetësimi për strukturat e inteligjencës serbe.

Po ashtu, “The Kosovo Dispatch”ndalet te rasti i Jelena Gjukanoviq, zyrtare në misionin e OSBE-së në Mitrovicë, e cila akuzohet për shpërndarje të dokumenteve të ndjeshme dhe për ndikim në raportimet institucionale ndërkombëtare.

Revista thekson se ky rast ilustron një dimension të ri të kërcënimit, infiltrimin në organizata ndërkombëtare për të ndikuar perceptimin global ndaj Kosovës.

Një tjetër rast që analizohet gjerësisht është ai i Hysri Selimit. I cili, dyshohet se ka bashkëpunuar me inteligjencën serbe për më shumë se një dekadë dhe madje ka depërtuar në radhët e ISIS-it për të mbledhur informacione mbi qytetarët shqiptarë të përfshirë në konfliktin në Siri. Ky rast konsiderohet si një nga shembujt më kompleksë të operacioneve të tilla.

Në përfundim, revista identifikon një model të qartë të shënjestrimit që përfshin tre shtylla kryesore: depërtimin në institucionet e sigurisë, ndikimin në narrativen publike dhe manipulimin e vlerësimeve ndërkombëtare.

Sipas “The Kosovo Dispatch”, këto objektiva nuk janë të rastësishme, por synojnë drejtpërdrejt strukturat themelore të një shteti funksional.

Analiza thekson gjithashtu se periudha 2024–2026 përfaqëson një moment të rëndësishëm për Kosovën, ku për herë të parë kapacitetet e inteligjencës, ndjekjes penale dhe sistemit gjyqësor kanë arritur të funksionojnë në mënyrë të koordinuar përballë një kërcënimi të tillë./RTVDukagjini.