Haliti: Presidenti i Kosovë nuk duhet të jetë “kukull”, por zbatues i Kushtetutës

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se vullneti i partive opozitare është që vendi të shkojë në zgjedhje për të dalë nga bllokada për zgjedhjen e presidentit të ri. Por, sipas tij, partitë politike duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një bisedë për RTV21, deputeti Haliti tha se LVV-ja dhe opozita duhet të kenë vullnet për të gjetur një emër të përshtatshëm për president, i cili do ta zbatonte në përpikmëri Kushtetutën.

“Vullneti i LVV-së për ta zgjedhur presidentin në variantin e një marrëveshjeje të mundshme me partitë në opozitë, me PDK-në apo me LDK-në, apo me të gjitha njëherazi, është i mirë, sepse i kapërcejmë disa probleme me të cilat jemi duke u ballafaquar në mungesë të institucioneve. Nuk është kohë e shkurt, sepse kemi më shumë se një vit që kemi përplasje të tilla. Ajo që do të duhej të ishte vullnet i Kurtit dhe i opozitës është që të ulemi bashkë në tryezë, që të kemi disa emra në shqyrtim dhe të gjejmë një emër më të përshtatshëm, jo kukull, por një president që i di kompetencat e veta dhe që zbaton Kushtetutën dhe nuk bën fushatë për veten e tij.”, tha ai./RTV21