Zelensky thotë se ShBA-ja i ka kushtëzuar garancitë e sigurisë me dorëzimin e tërë Donbasit Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë në një intervistë me agjencinë e lajmeve “Reuters” se Shtetet e Bashkuara e kanë kushtëzuar ofertën e tyre për garanci të sigurisë, të nevojshme për një marrëveshje të paqes në Ukrainë, me dorëzimin e tërë rajonit lindor të Donbasit Rusisë.

Kur Shtetet e Bashkuara tani janë përqendruar në konfliktin e tyre me Iranin, presidenti Donald Trump po i bën presion Ukrainës në përpjekje për të siguruar një përfundim të shpejtë të luftës së filluar nga Rusia më 2022, tha Zelensky.

“Lindja e Mesme definitivisht ka pasur një ndikim te presidenti Trump dhe unë mendoj se [ka pasur ndikim] te hapat e tij të ardhshëm. Fatkeqësisht, presidenti Trump, sipas mendimit tim, ende zgjedh një strategji për t’i bërë më shumë trysni palës ukrainase” – deklaroi ai.

Presidenti ukrainas ka thënë vazhdimisht se nevojiten garanci të forta të sigurisë nga partnerët ndërkombëtarë për t’u siguruar që Rusia nuk do t’i riniste armiqësitë në të ardhmen, nëse synohet nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes.

“Amerikanët janë të përgatitur për t’i finalizuar këto garanci në një nivel të lartë porsa Ukraina të jetë gati për t’u tërhequr nga Donbasi” – tha Zelensky, duke paralajmëruar se një tërheqje e tillë do ta komprometonte sigurinë e Ukrainës dhe të Evropës, sepse Rusisë do t’i dorëzoheshin pozicionet e forta mbrojtëse të rajonit.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Zelensky kishte thënë në janar të këtij viti se dokumenti për garancitë e sigurisë mes Ukrainës e Shteteve të Bashkuara ishte “100 për qind i gatshëm” dhe po priste për t’u nënshkruar. Më pas, të martën, pas bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë e ukrainas në Miami të ShBA-së, ai tha se ende kishte punë për t’u bërë.

Duke folur në kompleksin presidencial në qendër të Kievit, Zelensky tha se Rusia – e cila vazhdimisht ka kërkuar territore në Donbas që ende janë nën kontrollin e forcave ukrainase – po vë bast se Uashingtonit do t’i humbë interesimi për bisedime dhe do të tërhiqet.

Rusia po avancon ngadalë në fushën e betejës në pjesën lindore të Ukrainës. Analistët ushtarakë thonë se Moskës mund t’i nevojiten disa vjet dhe një fuqi e konsiderueshme njerëzore që ta pushtojë plotësisht rajonin që e përfshin të ashtuquajturin “Rrip i Fortesës” me qytete që janë të fortifikuara fuqishëm nga ushtria ukrainase.

Pas bombardimeve të rënda të qyteteve ukrainase nga forcat ruse të mërkurën, Zelensky e falënderoi administratën e presidentit Trump për vazhdimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes raketore “Patriot”, pavarësisht rritjes së kërkesës për këto armë për shkak të konfliktit në Gjirin Persik.

“Neve nuk na u ndalën dërgesat. I jam shumë mirënjohës presidentit Trump dhe ekipit të tij, por ky furnizim me raketa “Patriot” nuk është aq i madh sa na duhet neve” – tha presidenti ukrainas.

Sipas tij, Ukraina është duke bërë përparim në prodhimin e raketave e dronëve të saj me rreze të gjatë veprimi, duke i mundësuar sulme thellë brenda Rusisë si hakmarrje për bombardimin e qyteteve ukrainase nga forcat armike./Nacionale