Sistematizimi në strukturat udhëheqëse të Ministrisë së Brendshme do të përfshijë 160 zëvendësshefa, ndihmës shefa dhe funksioneve të tjera të larta në polici! Prej tyre 40 janë shqiptarë, mësoi TV21 nga burime brenda MPB-së. Kjo reformë në polici ka zgjuar reagime të shumta të opozitës dhe pushtetit. BDI ngrit polemika se do të shkelet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive të tjera etnike, posaçërisht shqiptare.
“Në kohën kur e ngrita shqetësimin për pasojat që Njësia për punë të brendshme Dibër do të pësonte nga sistematizimin i ri, ministri Toshkovski me akuzoi se them të pavërteta! Pas dy muaj, skenari po realizohet, degradimi dhe nënçmimi merr formë duke paralajmëruar shuarjen e SPB Dibër! Llogari i kërkova edhe zv. kryeministrit Bekim Sali, i cili i vetëdijshëm për situatën, por i pafuqishëm për të reaguar, shqetësimin e qytetarëve e quajti “paranoja”!”, tha Arbana Pasholli – deputete e BDI-së/FE.
U kundërpërgjigj zëvendësministri i brendshëm Astrit Iseni. Sipas tij, çdo pretendim për “shuarje” apo “degradim” të Njësisë së punëve të brendshme Dibër është i pavërtetë. Shtoi se asnjë vendim i tillë nuk ekziston dhe asnjë procedurë nuk ka nisur në atë drejtim.
“Ruajtja e përfaqësimit të drejtë është parim i pandryshueshëm i MPB-së. Jo vetëm që do të mbetet, por do të avancohet sipas standardeve që respektojmë si institucion dhe si shtet. Garantoj se në çdo model të ri organizativ shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe në disa segmente edhe më mirë se më herët. Askush nuk do të lejojë nënçmim të ndonjë qyteti, rajoni apo bashkësie etnike. Proceset e brendshme në MPB zhvillohen në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi. Çdo vendim merret pas konsultimeve të nevojshme profesionale dhe gjithmonë me prioritet interesin e qytetarëve dhe funksionimin efikas të institucionit”, pohoi Astrit Iseni, zëvendësministër i Brendshëm.
Sistematizimi i ri në MPB pritet të heq nga funksioni rreth 38% të shefave të policisë, zëvendës shefa, ndihmës dhe struktura tjera udhëheqëse, tregoi dje Ministri i brendshëm Pançe Toshkovski. Sipas tij, më shumë se 1/3 e strukturave udhëheqëse do të zvogëlohet pasi që nuk kanë kryer funksione konkrete përkundër pagave të majme. Ristrukturimi i ri do të jep përgjegjësi konkrete për udhëheqësit, por assesi nuk do të jetë “fshesë” për strukturat udhëheqëse të bashkësive të tjera etnike, tha Toshkovski.





