Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se do të inicijojë një nismë rajonale për bashkimin e investimeve në sektorin e energjisë, e cila do të ketë potencial prej disa miliardë eurosh, përcjell TV21. Mickoski foli për mundësinë që rajoni të veprojë së bashku në tërheqjen e investimeve të ardhshme energjetike për të përmbushur nevojat e ardhshme globale. Kryeministri kujtoi pjesëmarrjen e tij të fundit në Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Ai tha se në një nga panel-diskutimet kishte mundësinë të merrte pjesë së bashku me Fatih Birol, sekretarin amerikan për energji, udhëheqësit kryesorë të AEC dhe ARAMCO, ku tema kryesore e diskutimit ishin sfidat energjetike globale në të ardhmen.
“Birol vuri në dukje se nevojat për energji në botë në dekadën e ardhshme do të rriten, por nevojat për energji elektrike do të rriten dy e gjysmë herë më shpejt sesa kërkesat totale për energji. Në dekadën e ardhshme do të mungojnë rreth 40,000 teravat kapacitet në botë. Për t’iu dhënë një ide, kjo shifër është ekuivalente me kapacitetin aktual të instaluar të SHBA-së, Kanadasë, BE-së dhe Japonisë së bashku. Kjo është sasia që duhet të ndërtohet në dekadën e ardhshme”, deklaroi Mickoski në TV Alfa.
Nëse ne si shtet, potencoi Mickoski, dalim me një iniciativë, mund të mos na njohë askush, por nëse dalim si rajon i Ballkanit Perëndimor, sepse linjat e transmetimit dhe gazsjellësit nuk kanë rregulla Schengen, dhe të tërheqim vetëm 0,1% të atyre 40,000 teravat për të ndërtuar kapacitete këtu, atëherë bëhen 4 teravat.
“Kostoja e ndërtimit të një megavat të instaluar është 1 milion dollarë amerikanë. Po flasim për 4 milionë megavat të shumuar me 1 milion dollarë, që bëjnë 4 trilionë dollarë amerikanë. Nëse e ndajmë këtë në 10 vjet, arrijmë në 400 miliardë dollarë amerikanë në vit. GDP-ja nominale totale e të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit është 250 miliardë dollarë. Dhe unë po them vetëm 0,1% të këtij kapaciteti për të ndihmuar atë që njerëzimi do të ketë nevojë në dekadën e ardhshme”, shpjegoi kryeministri.
Mickoski shtoi se ka diskutuar këtë mundësi me disa nga kolegët e tij dhe njoftoi se dëshiron të diskutojë me të gjitha vendet e rajonit në takimin e ardhshëm BE – Ballkani Perëndimor në Podgoricë dhe nga aty të lindë një iniciativë rajonale.
“Propozim më dha edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, që ta brendisim me emrin SECI (Skopje Electricity Connectivity Initiative), që të organizojmë edhe takimin e parë këtu, ku të gjithë ne do të propozojmë projekte që më pas do të jenë pjesë e „pool“-it rajonal të projekteve që do t’u ofrojmë investitorëve të huaj. Ndërkohë do të përcaktojmë prioritetet: nga ana jonë do të jetë një ekip, nga ana shqiptare një tjetër, serbe një tjetër, malazeze, kosovare, boshnjake; të formojmë ekipe dhe t’i ndajmë në qendra të ndryshme në botë dhe të prezantojmë atë që ofrojmë si rajon në pjesën e investimeve. Kjo është e dobishme edhe për Evropën, por edhe për ne si rajon që të tregojmë mesazh politik se mund të bashkohemi për një qëllim më të lartë dhe mund të punojmë së bashku”, përfundoi Mickoski.



