E udhëhequr nga kryeministrja, Mette Frederiksen, Social Demokratët e Danimarkës kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të vendit, por nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën, pas rezultatit më të dobët të partisë në më shumë se një shekull.
Duke marrë 21.9% të votave, Social Demokratët, të cilët kanë qeverisur që nga viti 2019, kanë dalë të parët në zgjedhjet e përgjithshme të së martës.
Me 38 vende në parlament, partia mbetet larg më e madhja, por kjo nuk mjafton për të shpallur fitoren e vetme.
Brenda parlamentit të Danimarkës, Christiansborg, mbështetësit e Social Demokratëve brohoritën dhe duartrokitën Frederiksen, ndërsa ajo i tha turmës: “Më vjen keq që nuk morëm më shumë vota. Edhe unë shpresoja për një rezultat më të mirë”.
“Por sot nuk ka asgjë që mund të më bëjë të trishtuar që Social Demokratët janë bërë edhe një herë partia politike absolute e preferuar e danezëve”, ka shtuar ajo.
Frederiksen ende ka një shans të qëndrojë në pushtet për një mandat të tretë, megjithatë Danimarka zakonisht qeveriset nga qeveri koalicioni, dhe kështu tani priten negociata të vështira, të cilat mund të zgjasin me ditë apo javë.
Duke siguruar gjithsej 84 vende, “blloku i kuq” i partive të majta ka marrë një epërsi të vogël ndaj “bllokut blu” i atyre të djathta, të cilët kanë së bashku 77 vende.
Të dy blloqet kanë mbetur nën 90 vendet që nevojiten për shumicë në parlamentin prej 179 vendesh të Danimarkës.
Ende nuk është e qartë se cili bllok do të mund të formojë shumicën.
Megjithatë, “Të moderuarit”, një parti e vogël që mban 14 vende, tani ka fuqinë të luajnë rolin vendimtar, dhe të gjithë sytë janë te lideri i saj, ish-kryeministri Lars Løkke Rasmussen.
Zgjedhjet e parakohshme në Danimarkë janë zhvilluar mes tensioneve të këtij shteti me SHBA-në për shkak të pretendimit të presidentit Donald Trump për ta marrë kontrollin e ishullit autonom të saj, Grenlandës.



