Irani: Anijet “jo-armiqësore” mund të kalojnë lirshëm në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka deklaruar se anijet “jo-armiqësore” mund të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes Ngushtica e Hormuzit, në mes të rënies drastike të trafikut detar dhe krizës globale energjetike.

Në një deklaratë në OKB, Irani theksoi se kalimi do të lejohet vetëm për anijet që nuk mbështesin veprime siç i quajti armiqësore dhe respektojnë rregullat e sigurisë të vendosura nga autoritetet iraniane.

Zhvillimi vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se po zhvillohen negociata për t’i dhënë fund luftës me Iranin, ndonëse Teherani më parë i kishte mohuar bisedimet, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, trafiku në këtë rrugë kyçe,përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz, mbetet shumë i ulët krahasuar me nivelet para konfliktit.

Rënia e qarkullimit ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve globale të energjisë, ndërsa tregjet financiare kanë reaguar pozitivisht ndaj sinjaleve për mundësinë e një marrëveshjeje.