Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes Arbana Pasholli, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet për “shuarje” apo “degradim” të Njësisë së Punëve të Brendshme në Dibër.
Në reagimin e tij publik, Iseni thekson se nuk ekziston asnjë vendim apo procedurë që synon mbylljen ose dobësimin e kësaj njësie, duke garantuar opinionin se struktura aktuale mbetet funksionale.
Ai nënvizoi se ruajtja e përfaqësimit të drejtë mbetet një parim i pandryshueshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se ky standard jo vetëm që do të ruhet, por edhe do të përmirësohet në përputhje me praktikat institucionale.
Sipas Isenit, në çdo model të ri organizativ, shqiptarët do të kenë përfaqësim të barabartë, madje në disa segmente edhe më të avancuar se më parë. Ai siguroi se nuk do të lejohet asnjë formë nënçmimi ndaj qyteteve, rajoneve apo bashkësive etnike.
Zëvendësministri kritikoi gjithashtu qarqe politike që, sipas tij, në vend të kontributeve konkrete, përhapin panik dhe informacione të pasakta që dëmtojnë qytetarët dhe krijojnë tensione të panevojshme.
Në fund, Iseni theksoi se proceset e brendshme në MPB zhvillohen në mënyrë transparente dhe profesionale, duke garantuar se çdo vendim merret në funksion të interesit të qytetarëve dhe rritjes së efikasitetit të institucionit. (INA)



