Sot 27 vjet më parë, 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Në 27-vjetorin e sulmeve Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se ‘ky ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive’.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.
Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.



