“Politico”: ShBA-ja ka në sy një politikan iranian si udhëheqës potencial që do ta përkrahte

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke e vlerësuar në heshtje kryetarin e Kuvendit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, si partner të mundshëm dhe madje edhe si udhëheqës të ardhshëm të Iranit – përderisa kreu i Shtëpisë së Bardhë po sinjalizon zhvendosje nga presioni ushtarak drejt një fundi të negociouar të konfliktit.

64-vjeçari Ghalibaf, i cili në mënyrë të përsëritur i ka kërcënuar me hakmarrje Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, shihet nga të paktën disa figura në Shtëpinë e Bardhë si partner i mundshëm, i cili do të mund ta drejtonte Iranin dhe të negocionte me administratën e Trumpit në fazën e ardhshme të luftës, sipas dy zyrtarëve të administratës amerikane, raporton mediumi “Politico”.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk është e gatshme për t’u zotuar për ndonjë person të vetëm, me shpresën se do t’i testojë nën trysni disa kandidatë, në kërkim të dikujt që është i gatshëm për të bërë marrëveshje, thanë dy zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti.

“Ai është një opsion tërheqës. Ai është ndër më të lartit, por duhet t’i testojmë dhe nuk mund të nxitojmë për këtë” – tha një zyrtar i administratës amerikane.

Interesimi i administratës për të përzgjedhur një partner negociues sinjalizon një dëshirë për të gjetur një rrugëdalje nga këneta në të cilën është shndërruar shpejt Irani, duke i lëkundur tregjet botërore, duke shkaktuar shtrenjtim të naftës dhe duke e përtërirë shqetësimin për inflacionin.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha: “Ekzistojnë diskutime të ndjeshme diplomatike dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të negociojnë përmes mediave.”

Presidenti Trump të hënën dha shenjë të afrimit me figura “shumë solide” brenda Iranit dhe tha se do të mbahej një pauzë 5-ditore e “secilës dhe të gjitha sulmeve kundër qendrave energjetike dhe infrastrukturës energjetike të Iranit”, përderisa Teherani e Uashingtoni angazhohen në bisedime diplomatike.

Interesi tjetër i madh i presidentit është ekonomik: nafta. Sipas njërit zyrtar, Trumpi nuk dëshiron që ta shkatërrojë Ishullin Kharg, qendër e rëndësishme e naftës e Iranit, sepse shpreson se udhëheqësi i ri do të bëjë një marrëveshje të ngjashme me atë që e ka bërë Delcy Rodriguez, nënpresidentja e Nicolas Maduros, e cila e mori drejtimin e Venezuelës pas kapjes së Maduros nga forcat amerikane.

Ghalibafi të enjten mohoi se ka pasur negocioata me Shtetet e Bashkuara, por zyrtarët e administratës amerikane thanë se komentet e tij janë pozicionim i brendshëm.

“Ne jemi në fazën testuese për të kuptuar vërtet se kush mund të ngrihet, kush dëshiron të ngrihet, kush mundohet të ngrihet, e pastaj, me ngritjen e njerëzve, ne do të bëjmë një test të shpejtë dhe, nëse janë radikalë, do t’i neutralizojmë” – tha zyrtari i parë.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Trumpi është i interesuar për të ndjekur një marrëveshje të paqes me Iranin këtë javë, sepse ai po synon “progres” në Ngushticën e Hormuzit dhe një armëpushim.

“Presidenti, si të gjithë, më parë do të donte paqe se luftë” – tha zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë./Nacionale