Forca paqeruajtëse e OKB-së në Liban (UNIFIL) njoftoi të hënën se selia e saj në Naqura është goditur nga një predhë, ku sipas saj me shumë gjasë është lëshuar nga një “aktor jo-shtetëror”, pasi Hezbollahu deklaroi se kishte shënjestruar forcat izraelite në të njëjtin qytet.
Që nga e shtuna, qyteti bregdetar në jugun e largët të Libanit, në kufi me Izraelin, është bërë një nga pikat e nxehta të përplasjeve mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite, raportoi AFP.
“Pak para mesditës së sotme, një predhë goditi një ndërtesë brenda selisë sonë. Paqeruajtësit me ekspertizë në çmontimin e mjeteve shpërthyese po punojnë për ta trajtuar situatën. Besojmë se është qëlluar nga një aktor jo-shtetëror”, thuhet në deklaratën e UNIFIL.
Deklarata e UNIFIL-it erdhi pasi Hezbollahu mori përgjegjësinë për të paktën dy sulme të hënën kundër forcave izraelite në Naqura.
Sulmi i parë ndodhi në orën 11:00 sipas orës lokale dhe kishte në shënjestër “ushtarët pranë ndërtesës së komunës së Naqurës”, ndërsa i dyti, në orën 13:00, shënjestroi një tjetër grup ushtarësh të cilët sërisht ishin vendosur pranë shkollës së Naqurës”.
Pas armëpushimit të nëntorit 2024 për t’i dhënë fund një lufte të mëparshme me Hezbollahun, Izraeli ka mbajtur forca në pesë pozicione, përfshirë fshatin Labbouneh, vetëm tre kilometra larg Naqurës.
Të shtunën, Hezbollahu tha se anëtarët e tij kishin shënjestruar ushtarë izraelitë përgjatë kufirit, përfshirë në Naqura.



