Përfundoi rikonstruksioni i Qendrës për Arsim dhe Trajnim Profesional “Mosha Pijade” në Tetovë, kushtoi 5 milionë €

Qendra Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional “Mosha Pijade” në Tetovë ka marrë një pamje të re. Ka përfunduar rikonstruksioni dhe pajisja e të gjitha objekteve në kuadër të kësaj shkolle publike, ku zhvillohet procesi arsimor në disa drejtime: Makineri; elektroteknikë; hotelieri dhe turizëm; bujqësi, peshkatari dhe veterinari; si dhe komunikacion, transport dhe magazinim. Investimi kap vlerën prej rreth 5 milionë eurosh, të siguruara nga buxheti i shtetit, të cilat do të rimbursohen nga Bashkimi Evropian.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska theksoi se me përmbylljen e këtij investimi realizohet edhe një nga obligimet e shtetit të parashikuara në Agjendën e Reformave.

“Kemi për detyrë që deri në fund të vitit 2027 të themelojmë 8 qendra rajonale për arsim dhe trajnim profesional dhe t’u sigurojmë kushte cilësore për procesin mësimor. Me kënaqësi ndaj se 7 tashmë janë themeluar dhe prej tyre, 3 tashmë funksionojnë shumë mirë. Ndër to është edhe kjo shkollë, për çka dua të falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare, Qeverinë që në dy vitet e fundit ndan më shumë mjete se kurrë për arsimin, si dhe komunitetin e biznesit që po përfshihet në realizimin, zhvillimin dhe promovimin e arsimit profesional, ku në fakt qëndron e ardhmja e të rinjve dhe e shtetit”, shtoi Janevska.

Sipas autoriteteve, Qendra Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional “Mosha Pijade” në Tetovë ka pesë objekte në përbërje dhe të gjitha janë rikonstruktuar plotësisht. Është vendosur fasadë e re me efikasitet energjetik, konstruksion i ri i çatisë, janë zëvendësuar dyert dhe dritaret, si dhe është siguruar qasje për personat me nevoja të veçanta në dy objektet kryesore. Në këtë shkollë mësojnë mbi 1000 nxënës dhe punojnë rreth 150 mësimdhënës.