Universiteti i Tetovës vazhdon të kërkojë rishikimin urgjent të draft ligjit të ri për Arsimin e Lartë

Universiteti i Tetovës vazhdon të kërkojë rishikimin urgjent të draft ligjit të ri për Arsimin e Lartë. Rektori Jusuf Zejneli në një intervistë për Alsat i ka cilësuar propozimet aktuale si diskriminuese dhe cenim të drejtpërdrejtë të autonomisë universitare. Sipas Zejnelit, neni që kufizon organizimin e doktoraturave vetëm për katër universitetet e para të ranguara është një dispozitë diskriminuese dhe, siç e quan ai, ‘juridikisht e vdekur’.”

“Pse themi dispozitë e vdekur. Nuk është zbatuar nga vet institucioni, edhe aktualisht, në momentin që ne flasim Universiteti i Tetovës është i penalizuar, diskriminuar në sferën e studimeve të doktoraturës. Ne realisht kemi dyshimet tona, jo në cilësinë, cilësinë e kemi por ndryshimet procedurale se rangimi nuk është realizuar. Në bazë të ligjit duhet çdo tre vite të realizohet, kanë kaluar vite e dekada nuk ka rangim të ri dhe ne penalizohemi pa dashje, penalizohen kuadrot e rinj”, deklaroi Jusuf Zejneli, rektor I Universitetit të Tetovës.

Përveç doktoraturave, shqetësim mbetet edhe kriteri i publikimeve shkencore. Rektori Zejneli kërkon që krahas platformave ndërkombëtare si ‘Scopus’ dhe ‘Ueb of Science’, të njihen edhe 13 revistat shkencore të UT-së, në të cilat është investuar me vite të tëra.

20.30 “Ku mbetën gjithë ata studentë, djem, vajza, profesor, administratë që kanë punuar me vite të tëra me shumë mund, me shumë sakrificë. Ndonjëherë nga mjetet tona kemi nda ti mbajmë gjallë këto revista, këto botime edhe tani mos i përfshijmë në draft ligjin e ri. Kjo është kërkesa jonë që krahas publikimeve në Ueb of Sciense, në Scopus të vlejnë edhe punimet ndërkombëtare të revistave tona të cilat janë në Universitetin e Tetovës”, theksoi Jusuf Zejneli, rektor I Universitetit të Tetovës.

Sipas rektorit Zejneli, pika më e nxehtë e reformave në arsimin e lartë mbetet krijimi i Këshillit Universitar. Siç tha ai, ky trup i ri zbeh fuqinë e Senatit dhe i hap rrugë ndërhyrjeve politike brenda mureve të akademisë./Alsat.mk.