Ndryshimi i strategjisë së Trumpit për Hormuzin ngre dyshime për përgatitjen e SHBA-së për luftë

Në një luftë me Iranin, presidenti Donald Trump është duke shqyrtuar gjithnjë e më shumë opsione për të gjetur zgjidhje për krizën në Ngushticën e Hormuzit.

Ai ka kaluar nga thirrjet për të siguruar hapjen e kësaj rruge ujore përmes mjeteve diplomatike, te heqja e sanksioneve dhe tani ka përshkallëzuar deri në një kërcënim të drejtpërdrejt ndaj infrastrukturës civile në Republikën Islamike, shkruan AP.

Trumpi dhe aleatët e tij këmbëngulin se kanë qenë gjithmonë të përgatitur që Irani mund të bllokojë këtë ngushticë, megjithatë strategjia e paqëndrueshme e presidentit republikan ka nxitur kritika se ai po kërkon me dëshpërim zgjidhje pasi hyri në luftë pa një plan të qartë daljeje. Të shtunën ishin përpjekjet e fundit të tij, përmes një ultimatumi ndaj Iranit: “ Nëse nuk e hapni ngushticën brenda 48 orësh, Shtetet e Bashkuara do t’i shkatërrojnë termocentralet e vendit”.

Këshilltarët e Trumpit e mbrojtën kërcënimin si një taktikë të ashpër për ta detyruar Iranin të nënshtrohet. Kundërshtarët e përshkruan atë si dështim, duke deklaruar që Trumpi ka gabuar në llogaritjen e asaj që do të nevojitej për të dalë nga një ngërç gjeopolitik.

“Trumpi nuk ka asnjë plan për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, ndaj po kërcënon të sulmojë termocentralet civile të Iranit,” tha senatori Ed Markey, duke shtuar se sulmi ndaj infrastrukturës civile do të përbënte “krim lufte”.

“Ai e ka humbur kontrollin e luftës dhe po bën panik,” tha senatori Chris Murphy, demokrat nga Connecticut, duke reaguar ndaj postimit të Trumpit.

Trumpi dhe diplomacia

Trumpi provoi një zgjidhje diplomatike fundjavën e kaluar, kur bëri thirrje për një koalicion të ri ndërkombëtar që të dërgojë anije luftarake në ngushticë.

Aleatët e refuzuan. Trumpi më pas tha se SHBA-ja mund të menaxhojë vetë situatën. Të premten ai tha se vendet e tjera duhet të marrin përgjegjësinë, ndërsa SHBA-ja mendon të tërhiqet. Disa orë më vonë ai la të kuptohet se rruga ujore do të “hapet vetëvetiu”.

“Nuk mund të largohesh papritur pasi e ke krijuar situatën dhe të presësh që të tjerët ta marrin përsipër”, tha senatori Thom Tillis, republikan nga Karolina e Veriut.

Departamenti i Thesarit i Trumpit bëri të premten përpjekjen e fundit për të kontrolluar rritjen e çmimeve të karburantit, duke hequr sanksionet ndaj një pjese të naftës iraniane për herë të parë pas dekadash. Kjo uli një pjesë të presionit që Washingtoni zakonisht e përdor si mjet ndikimi ndaj Teheranit.

Qëllimi ishte të hidhen miliona fuçi më shumë naftë në tregun global. Megjithatë, nuk është e qartë sa ndikim do të ketë kjo në uljen e çmimeve në pompë apo si mund të pengojë administrata që Irani të përfitojë nga shitjet e reja.

Administrata më herët kishte hequr përkohësisht sanksionet edhe për një pjesë të naftës ruse.