Ekspertët paralajmërojnë: Përdorimi i kokainës në Kosovë po del jashtë kontrollit

Rritja e përdorimit të kokainës nga të rinjtë në Kosovë po shndërrohet në një shqetësim gjithnjë e më serioz për shëndetin publik.

Ekspertët paralajmërojnë se mosha e përdoruesve po bie, ndërsa rastet po shtohen edhe në zonat rurale. Në të njëjtën kohë, mungesa e një qendre të specializuar për rehabilitim po e vështirëson trajtimin afatgjatë të varësisë, duke lënë shumë të rinj pa mbështetjen e nevojshme për rikuperim të plotë.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mjekët po përballen me një rritje të rasteve të varësisë nga kokaina, veçanërisht te të rinjtë. Në Klinikën e Psikiatrisë, aktualisht janë të shtrirë tre pacientë, dy me varësi nga kokaina dhe një nga alkooli. Vetëm pak ditë më parë, numri i tyre ishte më i lartë.

Samire Gashi Braina, psikiatre tha se “aktualisht janë të shtrirë 3 pacient përderisa para dy dite kanë qenë 5 mirëpo njëri ka ndërprerë trajtimin për shkak se nuk ka mund t’i tejkaloj krizat e apsinecës dhe tjetri për shkaqe tjera ka qenë i pamundur të vazhdoj trajtimin dhe aktualisht janë 3 pacient të shtrirë, dy janë në varësi në kokainë dhe njëri është në varësi në alkool. Përderisa një pacient është i moshës 24 vjeçare është abuzues i të gjitha substancave dhe kohëve të fundit, 6 muajt e fundit është vetëm me kokainë”.

Një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e një qendre të specializuar për rehabilitim.

“Detoksimi është në repartin tonë, pastaj kalohet në stabilizim, vlerësohet se a ka probleme të natyrës së psiqike, a dominon ankth, a dominojnë elementet e psikozës dhe ipet terapia adekuate. Pastaj hallka e fundit është rehabilitimi dhe rikuperimi për të cilën hallkë për momentin është hallkë mjaftë e rëndësishme për me dal komplet nga gjendja. Por fatkeqësisht nuk kemi Qendër Rehabilitimi”, shtoi ajo.

Nga organizatat që punojnë në terren paralajmërohet se përdorimi i kokainës po përhapet me shpejtësi dhe nuk është më i kufizuar vetëm në zonat urbane.

Nga organizata “Labyrinth” thonë se parandalimi mbetet i pamjaftueshëm, për shkak të mungesës së programeve të qëndrueshme edukative në shkolla.

“Ne dijmë që njerëzit nuk besojnë në parandalim e ne besojmë thellësisht në parandalim, nëse e zbatojmë mirë. Deri më tani nuk ka një kurrikul, ose një program gjithëkombëtar i cili mundet me zbatu në të gjitha shkollat dhe ajo duhet të mbahet në vazhdimësi. Pra, duhet sot të fillojnë programet që t’i shohim efektet pas 5 viteve”, thotë Safet Blakaj nga organizata “Labyrinth”.

Në një përgjigje zyrtare, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se, përmes Departamentit të Planifikimit Strategjik Shëndetësor, është hartuar dhe miratuar “Plani i Veprimit për realizimin e projektit: Qendra e Sëmundjeve të Varësisë”, i aprovuar më 18 shtator 2025. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë, nuk ka bërë publik një afat të saktë për funksionalizimin e kësaj qendre./RTK