Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se me rastin e fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025, si dhe zgjedhjen për një mandat të ri në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka pranuar një mori urimesh.
Presidenti francez, Emmanuel Macron në letrën e tij drejtuar Kurtit ka thënë se Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian.
“Prandaj, do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë palodhshëm përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension integral të këtij procesi të afrimit me Bashkimin Evropian”, ka shkruar Macron.
Më tej presidenti francez ka thënë se marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar rrugën dhe u takon të dyja palëve të zbatojnë zotimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Gjithashtu, dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh rreth projekteve strukturuese siç është, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do të mirëpresë në vitin 2030”, ka shtuar Macron./ RTK.




