Në fshatin Pllasnicë është mbajtur sot ceremonia e Duasë së Hatmes, ku i pranishëm ishte Myftiu i Kërçovës, Qamil Rushiti. Aktiviteti ishte organizuar nga imami nikoqir Salif Shemoski, me pjesëmarrjen e besimtarëve dhe banorëve të fshatit, raporton TV Gurra.

Me këtë rast, Myftiu përgëzoi imamin për përkushtimin e tij në edukimin fetar të fëmijëve dhe brezave të rinj, duke theksuar rëndësinë e dijes dhe misionin fisnik të atyre që e shpërndajnë atë.

Gjatë kësaj dite u bë edhe zyrtarizimi i emrit të xhamisë së re, e cila tashmë do të quhet “Ismail Bey”, emër që lidhet me deputetin e zonës, Ismail Jaoski. Sipas organizatorëve, ai ka financuar ndërtimin e xhamisë dhe vazhdon të mbështesë funksionimin dhe mirëmbajtjen e saj.
Ndryshe, Ismail Jaoski në dy mandate ka qenë kryetar i Komunës së Pllasnicës, ndërkohë që tani kryetar është vëllai i tij.




