Republika Islamike, 800 milionë dollarë dëme materiale bazave amerikane
Sulmet iraniane ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar rreth 800 milionë dollarë dëme në vetëm dy javët e para të luftës.
Kështu tregon një analizë e Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, sipas të cilës shumica e dëmeve është shkaktuar nga sulmet e para pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën.
Ndërkohë, bilanci total i dëmeve nga sulmet ndaj aseteve amerikane nuk është ende i qartë.
Sidoqoftë, shuma prej 800 milionë është një shifër shumë më e lartë nga ajo e raportuar më herët dhe ofron një tablo të kostos që po paguajnë SHBA teksa konflikti vazhdon.
“Dëmet ndaj bazave amerikane në rajon janë nënvlerësuar. Edhe pse një shifër e lartë, kostoja reale nuk do të jetë e mundur të dihet derisa të ketë më shumë informacion”, deklaroi Mark Cancian, këshilltar i hershëm i Qendrës.
Sulmet hakmarrëse të Iranit kanë vënë në shënjestër sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore dhe ato satelitore, në Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Një pjesë domethënëse e dëmeve u shkaktua nga një sulm ndaj një radari për sistemin e mbrojtjes raketore “Thaad”, në një bazë në Jordani.
Sistemi i radarëve “AN/TPY-2” kushton rreth 485 milionë dollarë, sipas Qendrës, e cila saktëson se lloji në fjalë përdoret për lokalizimin e raketave balistike.
Ndërkohë, pjesa tjetër e kostos së dëmeve, 310 milionë, llogaritet për dëme të shkaktuara ndaj godinave, komplekseve dhe infrastrukturës së bazave ushtarake të përdorura nga operativët amerikanë në rajon.
Republika Islamike ka goditur të paktën tre baza më shumë se një herë, vijon analiza e agjencisë, e bazuar tek pamjet satelitore.
Rusia dyshohet se ka ndihmuar Iranin me të dhëna mbi pozicionet e forcave ushtarake amerikane në rajon.




