Gjykata penale Shkup ka pranuar propozimin e Prokurorisë Publike për caktimin e masës së paraburgimin për drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Vase Anakiev pasi është vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimi mbi dëshmitarët dhe rreziku i përsëritjes së veprës, transmeton Portalb.mk.
Pas procedurës parahetimore dhe aksionit të përbashkët të Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe MPB-së Prokuroria sot ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër Anakievit, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”.
“I dyshuari, në periudhën nga data 5 e këtij muaji deri dje (19.03.2026), në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, ka kërkuar drejtpërdrejt përfitim të konsiderueshëm pasuror për vete, me qëllim që “të kryejë një veprim zyrtar që do të duhej ta kryente”, duke ushtruar presion ndaj personave zyrtarë që të mos lejohet importi i mallrave për një subjekt juridik, edhe pse të njëjtat mallra ishin importuar shumë herë më parë. Si arsyetim për shpediterin është theksuar se mallrat që duhej të importoheshin nuk ishin në përputhje me dispozitat ligjore. Si rezultat i këtyre presioneve, mallrat kanë qëndruar për disa ditë në pikën kufitare, dhe pasi pala e dëmtuar ka kërkuar shpjegim për ndalimin, i dyshuari ka filluar veprimet për kërkim ryshfeti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq, paraprakisht MPB njoftoi se ka arrestuar personin në fjalë.
“V.A., në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, me qëllim përfitimi të paligjshëm pasuror nga pronari i një subjekti juridik që merret me import, në mënyrë indirekte përmes një personi shpediter, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 100.000 euro, për të kryer një veprim zyrtar që nuk do të duhej ta kryente. Konkretisht, personit të dëmtuar i është shpjeguar se për mallin që importon ekziston ndalesë për hyrje dhe se ai duhet të kthehet, pasi nuk është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe se më parë nga Inspektorati Shtetëror për Bujqësi është përpiluar procesverbal. Me qëllim që importi të realizohet pa pengesa, nga personi i dëmtuar janë kërkuar 100.000 euro, të cilat duhej të dorëzoheshin në tre këste: një herë 50.000 euro dhe dy herë nga 25.000 euro”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas të dhënave të policisë, më 19.03.2026 është kryer dorëzimi i shumës së parë prej 50.000 euro si kësti i parë i ryshfetit të kërkuar, ku fillimisht paratë nga personi i dëmtuar i merr shpediteri, me qëllim që më pas t’ia dorëzojë Anakievit. Pas marrjes së parave nga ana e Anakievit, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete operative-taktike dhe, në bazë të urdhrave të lëshuara, është kryer kontroll i personit, mjetit transportues dhe bagazhit. Gjatë kontrollit të automjetit, nën ulësen e pasagjerit janë gjetur dhe sekuestruar paratë.
Kujtojmë se, mbrëmë (19.03.2026) Byroja e Sigurisë Publike arrestoi sonte arrestoi Anakievin, pasi u kap duke kërkuar dhe pranuar një ryshfet prej jo më pak se 50,000 eurosh.
Ndryshe, ky nuk është rasti i parë i korrupsionit në bujqësi, pasi paraprakisht pesë persona u arrestuan nën dyshimin për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe mashtrim me fondet IPARD. Sipas hetimeve, drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dyshohet se ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme, duke u premtuar fonde kompanive që nuk plotësonin kriteret, në këmbim të dhuratave të majme, një prej tyre në shumën prej 50.000 eurosh. Tre ndërmjetës, mes tyre edhe zyrtarë shtetërorë, dyshohet se ushtruan ndikim të jashtëligjshëm për të mundësuar vendimin. Gjatë bastisjeve u gjetën fonde të konsiderueshme, duke konfirmuar dyshimet për korrupsion sistemik.
Në nëntor të vitit 2025, pas zhvillimeve të fundit në Agjencinë për Përkrahje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Financa në Maqedoninë e Veriut njoftoi se janë ndërprerë pagesat e mjeteve nga programi IPA/IPARD.




