Saveski jep deklaratën solemne në Kuvend/ Gashi: Prokurori i ri të punojë me profesionalizëm dhe përgjegjësi

Në Kuvend, sot u dha deklarata solemne e prokurorit të ri shtetëror publik, Nenad Saveski, duke shënuar fillimin zyrtar të mandatit të tij në këtë funksion të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.

Kryeparlamentari Afrim Gashi, në njoftimin e tij, theksoi pritshmëritë për punën e prokurorit të ri.

“Pres që prokurori i ri shtetëror të punojë në mënyrë profesionale, me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, është shprehur Gashi.

Ai gjithashtu vuri theksin në rëndësinë e funksionimit të institucioneve, duke shtuar se “institucionet duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, transparente dhe në interes të drejtësisë”.

Në fund, Gashi i uroi sukses Saveskit në ushtrimin e detyrës së re, duke e cilësuar këtë pozitë si një përgjegjësi të lartë në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.