Hungaria vazhdon të bllokojë ndihmat e BE-së për Ukrainën dhe sanksionet për Rusinë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të enjten është zotuar se do të vazhdojë të bllokojë një paketë të madhe kredie për Ukrainën për shkak të ndërprerjes së dërgesave të naftës.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian e kritikuan ashpër Orbanin, duke e akuzuar se po përpiqet të sabotojë marrëveshjet e tyre duke vënë veton ndaj paketës së kredisë për Ukrainën, për qëllime të brendshme politike, pak para zgjedhjeve të 12 prillit në Ukrainë.

Në një shpërthim të rrallë publik ndaj një anëtari të tyre, liderët këmbëngulën se Orbani duhet të respektojë vendimin e bllokut me 27 vende të marrë në dhjetor për të financuar forcat e armatosura të Ukrainës dhe ekonominë e saj të shkatërruar nga lufta për dy vjetët e ardhshëm.

Por Orbani është zotuar se do të vazhdojë ta bllokojë kredinë për sa kohë që dërgesat e naftës drejt Hungarisë mbeten të ndërprera.

“Ajo për të cilën po flasim nuk është politikë, është çështje ekzistenciale për Hungarinë. Marrja e naftës është ekzistenciale për hungarezët”, ka thënë Orban, i cili është kryeministër i Hungarisë që nga viti 2010 dhe po kërkon mandatin e pestë.

“Nuk është shaka, nuk është lojë politike. Zelensky duhet ta kuptojë këtë”, ka thënë ai ndërsa liderët u mblodhën për një samit në Bruksel.

Zyrtarët e BE-së besojnë se duhet të sigurojnë të paktën një pjesë të konsiderueshme të kredisë prej 90 miliardë eurosh deri në fillim të majit. Që kjo të ndodhë, puna mbi marrëveshjen e BE-së duhet të përparojë brenda 2–3 javësh.

Ndërkohë, Orban është pas në sondazhet e opinionit para zgjedhjeve të 12 prillit.

Një pjesë e fushatës së tij elektorale ka qenë paraqitja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky si një kërcënim ekzistencial për Hungarinë.

Ai ka pretenduar se lideri ukrainas, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dëshirojnë ta tërheqin Hungarinë në luftën e Rusisë, tashmë në vitin e saj të pestë.

Ai ka deklaruar se rizgjedhja e tij është garancia e vetme për paqe dhe siguri.

Por liderët e tjerë tani po e kritikojnë Orbanin, aleatin më të afërt në Evropë të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe një nacionalist i admiruar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Përplasja ka nxjerrë në pah dobësi të rëndësishme në procedurat vendimmarrëse të BE-së, të cilat shpesh kërkojnë unanimitet mes 27 vendeve anëtare.

Hungaria ka një popullsi prej pothuajse 10 milionë banorësh, një pjesë shumë e vogël krahasuar me 450 milionë banorët e gjithë bllokut.

Ukraina dhe Hungaria janë përfshirë në një konflikt në rritje që nga ndërprerja në janar e furnizimeve me naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë për shkak të dëmtimit të tubacionit Druzhba, i cili kalon nëpër territorin ukrainas.

Zyrtarët ukrainas ia atribuojnë dëmtimin sulmeve me dronë nga Rusia, por Orban akuzon Zelenskyn se po vonon qëllimisht furnizimet me naftë.

Hungaria jo vetëm që ka vënë veton ndaj paketës së kredisë, por po bllokon gjithashtu një rund të ri sanksionesh të BE-së kundër Rusisë.

Në përpjekje për të zgjidhur ngërçin, von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa ofruan këtë javë të financojnë riparimet e tubacionit.

Një ekip teknik i BE-së ndodhet gjithashtu në Kiev, në pritje të lejes së sigurisë për të inspektuar vendin.