Ekspertët e Bashkimit Evropian kanë mbërritur në Ukrainë për të vlerësuar gjendjen e tubacionit të naftës Druzhba, ka njoftuar firma shtetërore e energjisë Naftogaz, pasi mbyllja e tij shkaktoi një mosmarrëveshje me Hungarinë që po bllokon një kredi të BE-së për Kievin.
BE-ja javën e kaluar ka propozuar dërgimin e një misioni për të inspektuar tubacionin. Ukraina më vonë ka thënë se kishte pranuar ofertën e BE-së për mbështetje teknike dhe financim për të rivendosur rrjedhat e naftës përmes tubacionit të dëmtuar.
Hungarisë dhe Sllovakisë u janë ndërprerë furnizimet me naftë ruse përmes Druzhbës që nga fundi i janarit, pasi Kievi tha se një sulm rus goditi pajisjet e tubacionit në Ukrainën perëndimore dhe do të kërkonte kohë për riparime.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka kërcënuar vazhdimisht se do të vazhdonte të bllokonte të gjitha vendimet në favor të Ukrainës derisa tubacioni të rregullohej.




