E gjendur nën presionin e një eksodi të heshtur por masiv të qytetarëve që kalojnë kufirin drejt Kosovës për të siguruar barna dhe produkte bazë me çmime më të lira, Maqedonia e Veriut sot ka ndërmarrë një lëvizje urghente për të frenuar goditjen mbi xhepat e rënduar të popullatës, përcjell INA.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi uljen e çmimit maksimal për 343 lloje barnash, një vendim që vjen si kundërpërgjigje ndaj alarmit të lëshuar nga opozita dhe realitetit të hidhur ekonomik ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut po braktisin farmacitë vendase për shkak të kostove të papërballueshme.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi një ditë më parë paralajmëroi se pa masa radikale si heqja e plotë e TVSH-së për produktet bazë dhe ulja e akcizës së naftës, vendi rrezikon një rritje zinxhire të çmimeve që do të kulmojë në prill.
Ndërsa drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski është mbrojtur me argumentin se tregjet fqinje si ai i Serbisë kanë volum shitjesh tetë herë më të lartë.
Ai pranoi se nga 1 maji do të hyjnë në fuqi çmimet e reja për 156 barna origjinale dhe 174 gjenerike. Ky vendim synon të minimizojë pagesat shtesë për pacientët, në një kohë kur dallimi i çmimeve me Kosovën mbetet një plagë e hapur që po detyron mijëra njerëz të kërkojnë shpëtim mjekësor përtej kufirit, aty ku rregullativa ligjore dhe sasia e shitur diktojnë kosto shumë më të ulëta se në Shkup. (INA)




