Shkruan: Fitim NUHIU
“Bamirësia që ushqen vetëm barkun zgjat një ditë;
bamirësia që ushqen mendjen zgjat një jetë.”
Muaji i Ramazanit është koha kur solidariteti dhe bamirësia marrin një dimension të veçantë në shoqërinë tonë. Në këtë periudhë, shumë njerëz hapin zemrën dhe dorën për të ndihmuar familjet në nevojë, duke dhuruar ushqim dhe ndihma materiale. Kjo është një traditë e bukur dhe një vepër e çmuar humane.
Por një pyetje mbetet pothuajse gjithmonë jashtë diskutimit: pse bamirësia jonë kufizohet pothuajse vetëm në ushqimin e barkut?
Në shoqërinë tonë është krijuar një bindje e pashkruar se ndihma duhet të jetë vetëm ushqim, paketa me produkte apo ndihma të tjera materiale. Ndërkohë, kultura, libri dhe arsimi mbeten në periferi të vëmendjes publike. Pothuajse askush nuk flet për këtë boshllëk. Dhe pikërisht këtu lind problemi. Sepse një shoqëri nuk mbijeton vetëm me bukë. Ajo mbijeton edhe me ide, me dije dhe me kulturë.
Sot shumë autorë, studiues dhe krijues përballen me një realitet të hidhur: kanë vepra, kanë ide, por nuk kanë mundësi t’i botojnë apo t’i promovojnë ato. Aktivitetet kulturore shpesh zhvillohen me shumë sakrifica, ndërsa institucionet dhe sponsorët mungojnë. Në të njëjtën kohë, mijëra euro shpërndahen çdo vit për ndihma materiale, por pothuajse asgjë nuk dedikohet për librin, për dijen dhe për kulturën.
A nuk është edhe kjo një formë varfërie? Varfëria nuk është vetëm mungesë buke. Varfëria është edhe mungesë ideje, mungesë libri dhe mungesë kulture.
Nëse fitrat dhe bamirësia synojnë të përmirësojnë jetën e njerëzve, atëherë pse të mos mbështeten edhe librat, studentët, bibliotekat, revistat kulturore-letrare dhe projektet kulturore? Pse të mos konsiderohet edhe financimi i një libri apo i një aktiviteti arsimor si një vepër bamirësie?
Një vështrim i thjeshtë mbi shifrat tregon se sa potencial ekziston për të mbështetur kulturën përmes bamirësisë. Nëse merret parasysh se në Shkup jetojnë qindra mijëra besimtarë myslimanë dhe se çdo vit secili prej tyre jep fitrat për muajin Ramazan, shuma e përgjithshme që qarkullon mund të arrijë qindra mijëra euro (afër 1 milion). Vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume, nëse do të orientohej për libra, biblioteka, aktivitete kulturore apo mbështetje për autorët e rinj, do të mund të financonte dhjetëra projekte kulturore çdo vit. Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e një vizioni më të gjerë për mënyrën se si e kuptojmë dhe e praktikojmë bamirësinë.
Bashkësia Islame në Maqedoninë e Veriut ka rolin kryesor në mbledhjen dhe shpërndarjen e fitrave, një detyrë që tradicionalisht synon ndihmën për familjet në nevojë. Në mungesë të mekanizmave shtetërorë që të mbështesin kulturën, Bashkësia Islame ka mundësinë të veprojë si një kanal efektiv për të kanalizuar një pjesë të këtyre mjeteve drejt projekteve që ushqejnë mendjen dhe ndërgjegjen kolektive të besimtarëve të vet. Ky nuk është vetëm një apel për diversifikim të bamirësisë, por edhe një mënyrë për të dëshmuar se bamirësia nuk është vetëm ushqim për barkun, por ushqim për të ardhmen e një shoqërie të vetëdijshme dhe të kulturuar.
Një shoqëri që investon vetëm në mbijetesë, por jo në dije, rrezikon të mbetet gjithmonë në të njëjtin vend. Ndërsa një shoqëri që mbështet kulturën ndërton të ardhmen e saj.
Prandaj është koha të bëjmë një reflektim të sinqertë: ndoshta është momenti që koncepti i bamirësisë të zgjerohet. Krahas ndihmës për barkun, duhet të fillojmë të mendojmë edhe për ushqimin e mendjes, sepse në fund të fundit, të ushqesh një njeri për një ditë është një vepër e mirë, por të ndihmosh që një shoqëri të bëhet më e ditur dhe më e vetëdijshme është një vepër që lë gjurmë për breza.
Pas gjithë kësaj që u tha, me të drejtë shtrohet pyetja se ku është shteti në këtë mes, ku janë institucionet përkatëse për mbarëvajtjen e këtyre nismave, aktiviteteve dhe projekteve kulturore. Padyshim që institucionet, ministritë përkatëse duhet të jenë bartëset kryesore të zhvillimit kulturor, por kur ato mungojnë ose tregohen të pafuqishme, shoqëria nuk duhet të mbetet spektatore. Pikërisht atëherë duhet të aktivizohen sensorët reagues të qytetarëve, në rastin konkret të besimtarëve, të intelektualëve dhe të dashamirëve të dijes. Sepse kultura nuk është luks; ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet vetëdija e një shoqërie.
Kolumnë e shkruar veçanërisht për Gazetën Lajm dhe Lajm TV




