
Gjatë ditës së mërkurë, qytetarë nga disa fshatra të Gjilanit shprehën shqetësimin se ushtarë serbë po kryenin stërvitje në afërsi të kufirit me Kosovën.
RTV21 lidhur me këtë ka pyetur KFOR-in. Sipas tyre ky aktivitet u zhvillua brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon.
”KFOR-i është informuar që Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF) do të zhvillonin një aktivitet të planifikuar stërvitor që përfshin parashutistë të dislokuar nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i zhvilluar brenda territorit të Serbisë dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Administrative Kufitare dhe në të gjithë Kosovën, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe me Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë. KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij—bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999—për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë (SASE) dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), sipas roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it./RTV21/21Media



