Banorëve të Strugës ju ndanë faturat e ujit për muajin shkurt edhe pse për shkak të turbullirës nuk e përdorën ujin nga ujësjellësi i qytetit, përdorimi i të cilit u ndalua pikërisht për këtë arsye. Këshilli i Komunës së Strugës vendosi që Komuna t’i marrë përsipër detyrimet e qytetarëve bazuar në faturat e ujit për muajin shkurt, por banorëve sërish iu dërguan fatura të ujit, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” Strugë, Jovanço Meçkaroski, thotë se vendimi u mor pasi faturat tashmë ishin dorëzuar.
“Faturat dorëzohen nga data 1 deri në datën 10 të muajit, ndërsa vendimi është marrë pas kësaj. Vendimi nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe nuk na është dorëzuar. Ata duhet të na tregojnë edhe se si do t’i kompensojmë qytetarët, nëse shuma do t’u zbritet nga faturat njëherësh apo çdo muaj”, tha Meçkaroski.
Sipas tij, ky vendim i vendos qytetarët që i paguajnë rregullisht faturat në një pozitë të pabarabartë me ata që nuk kanë paguar asnjë faturë, ndërsa problemi më i madh është se vendimi i përfshin edhe kompanitë që realizojnë fitime të mëdha.
“Në seancën e Këshillit thashë se qytetarët që i paguajnë faturat po vihen në një pozitë të pabarabartë në krahasim me ata që nuk i paguajnë, ndërsa këtu i përfshijmë edhe personat juridikë që realizojnë fitim ekonomik dhe kanë fatura prej 50.000, 60.000 dhe madje 100.000 denarë. Gjithashtu, si Komunë jemi e madhe dhe ka pjesë që furnizohen nga sisteme të tjera të furnizimit me ujë, kështu që me këtë vendim ata indirekt do të paguajnë dyfish”, tha Meçkaroski.
Detyrimet e përgjithshme të cilat i ka marrë përsipër Komuna për faturat për individë dhe persona juridikë për muajin shkurt janë rreth 9 milionë denarë (mbi 145.000 euro), ndërsa borxhi aktual i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” Strugë është 300 milionë denarë (mbi 4,8 milionë euro).
Avokati Besnik Asani thotë se qytetarët që e kanë paguar faturën për muajin shkurt kanë bazë për padi për kompensim të dëmit material për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale, furnizimit me ujë të sigurt për pije.
Sipas tij, qytetarët i kanë paguar me kohë dhe në mënyrë të rregullt faturat mujore të ujit ndaj NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” Strugë, ndërsa në muajin shkurt u është dorëzuar faturë për ujë që nuk i plotëson standardet ligjore për ujë të pijshëm të sigurt.
“Gjatë periudhës së përmendur uji nuk ishte i sigurt për konsum dhe paraqiste rrezik për shëndetin. Kjo është vërtetuar pa mëdyshje përmes ekspertizës së kryer nga profesorë universitarë, ndërsa në ndërkohë faturohet tarifa si për ujë të sigurt për pije. Dëshmi për këtë është një ekspertizë e ekspertëve mbi cilësinë e ujit e përgatitur nga Universiteti ‘Sh. Kirili dhe Metodi’, nga data 15.02.2026”, tha Asani.
Ai thotë se qytetarët kanë të drejtë për kompensim për dëmin material sepse kanë blerë ujë për pije, gjë që i ka ekspozuar ndaj shpenzimeve shtesë.
Bazuar në analizën e mostrave të ujit nga burimi i lumit Shum, me të cilën u konstatua se vlera e turbullirës ishte brenda kufijve normalë, më 6 mars u hoq ndalesa për përdorimin e ujit të pijshëm.
Autoritetet thonë se situata do të vazhdojë të monitorohet nga afër. Në periudhën në vijim do të kryhen marrje të rregullta të mostrave të ujit me qëllim kontrollin e cilësisë së tij dhe sigurisë së furnizimit me ujë.
Prokuroria Themelore Publike në Strugë po zhvillon një procedurë për përcaktimin e lëshimeve të mundshme ose aktiviteteve të paligjshme që çuan deri në ndotjen e ujit.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Strugës më 19 shkurt dorëzoi një raport mbi aktivitetet e ndërmarra në lidhje me situatën aktuale me ujin e pijshëm në fshatin Shum dhe situatën e vështirë që i ka lënë banorët e Strugës pa ujë të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit. Ai tha se sipas ekspertëve shkaku kryesor i problemit është faktori njerëzor.
“Kemi përcaktuar se gërmimet e kryera nga dy kompani gjatë viteve janë evidente dhe ka shumë gjasa të jenë shkaku kryesor i dëmit të ndodhur. Atje janë bërë gërmime të thella dhe dëme që do të jenë të vështira për t’u riparuar. Deri më tani kemi konstatuar se dëmi është bërë edhe më i madh, sepse nuk është ndërmarrë asgjë për mbrojtjen e këtij burimi natyror”, tha Qyra.
Kujtojmë se më 13 shkurt, Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka hapur lëndë për të hetuar ndotjen e madhe të ujit të pijshëm në zonën e Strugës dhe veprat e mundshme penale kundër mjedisit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, është urdhëruar inspektim në fshatin Shum, ku ndodhen burimet e ujit. Sipas prokurorisë, guroret në “Shum” kanë turbulluar ujin e Strugës, dy kompani po gërmonin në afërsi të burimit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, është urdhëruar inspektim në fshatin Shum, ku ndodhen burimet e ujit.




