Kreshnik Çollaku, këshilltar i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar kundër letrës së përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, drejtuar vendeve të Bashkimit Europian për procesin e integrimit.
Në një prononcim për mediat, Çollaku e cilësoi këtë nismë si të pavend, të pamend dhe një gabim të rëndë. Sipas tij, ajo dëmton drejtpërdrejt interesat e Kosovës dhe rikthen qasje që kanë dështuar edhe më herët.
Ai tha se kjo nismë i ngjan modelit të “Open Balkan”, i cili sipas tij konsumoi vite të tëra pa rezultat konkret dhe komplikoi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Çollakut, kjo qasje nuk pati mbështetje as nga Bashkimi Europian dhe as nga Shtetet e Bashkuara.
Këshilltari theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të veprojnë të koordinuara kur bëhet fjalë për interesa strategjike, sidomos në raport me Serbinë. Ai rikujtoi se Serbia ende pretendon territorin dhe sovranitetin e Kosovës, prandaj sipas tij është e papranueshme që Shqipëria të ndërmarrë hapa të përbashkët me Beogradin në procesin drejt BE-së.
Sipas Çollakut, një veprim i tillë mund të dobësojë pozitën e Kosovës në raport me Serbinë, veçanërisht në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian. Ai përmendi edhe rëndësinë e kapitullit 35, që lidhet me detyrimet e Serbisë ndaj Kosovës, duke theksuar se kjo është një pikë kyçe që nuk duhet anashkaluar.
Ai shtoi se letra krijon përshtypjen e një rruge më të lehtë për Serbinë drejt integrimit, duke shmangur çështje thelbësore. Nëse një qasje e tillë do të merrej parasysh nga Brukseli, sipas tij, pala që do të dëmtohej më së shumti do të ishte Kosova.
Në fund, Çollaku u shpreh se çdo përpjekje për bashkëpunim rajonal duhet të marrë parasysh realitetin dhe çështjet e pazgjidhura, duke theksuar se Kosova nuk mund të lihet anash në asnjë iniciativë që prek drejtpërdrejt interesat e saj.



